Shpërthen vetura bombë, raportohet për të vdekur

  • E.K /
  • 02 January 2021 - 15:42
 Shpërthen vetura bombë, raportohet për të vdekur

Një veturë bombë ka shpërthyer në një treg perimesh në qytezën Ras al Ain të Sirisë, afër kufirit me Turqinë.

Raportohet se nga shpërthimi kanë mbetur disa persona të vdekur dhe disa të tjerë janë lënduar. Kështu raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, SANA.

Sipas kësaj agjencie, në këtë sulm mbetën të vrarë edhe dy fëmijë, ndërsa nëna e tyre u plagos. Raportohet se nga shpërthimi kanë vdekur edhe disa luftëtarë që përkraheshin nga Turqia.

Turqia ka lidhje me disa grupe rebele që luftojnë kundër qeverisë së presidentit Bashar al-Assad. Ajo e mori kontrollin në këtë qytet më 2019 gjatë ofanzivës kundër luftëtarëve kurdë, të cilët i cilëson si grup terrorist.

Sulmet e tilla në Siri nuk janë të rralla. Në to shpesh e pësojnë civilët. Nga viti 2011, qindra mijëra njerëz janë vrarë gjatë luftës civile që e ka rrënuar këtë shtet të Lindjes së Mesme.

(Kosova Sot Online)