Dalin audiot: Donald Trumpi i bën presion zyrtarit të gjejë vota për ta përmbysur fitoren e Joe Bidenit

  • E.K /
  • 04 January 2021 - 10:08
Dalin audiot: Donald Trumpi i bën presion zyrtarit të gjejë vota për ta përmbysur fitoren e Joe Bidenit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i bëri presion një zyrtari të lartë të zgjedhjeve të shtetit të Georgias për të “gjetur” vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet, ku ai ka humbur.

“Unë thjesht dua të gjej 11,780 vota,” i tha Trump sekretarit republikan të shtetit, Brad Raffensperger në një audio-regjistrim të publikuar nga “Washington Post”.

Kjo është një nga përpjekjet më të fundit të Trump në kuadër të pretendimeve të tij mbi manipulimin e zgjedhjeve, sipas njoftimit të gazetës “Washington Post”, e cila ka arritur të sigurojë një regjistrim audio të një bisede telefonike të zhvilluar ditën e shtunë.

Sipas gazetës “Washington Post”, e cila të dielën publikoi fragmente të telefonatës, që zgjati një orë mes Trump dhe sekretarit të Shtetit të Georgias, Brad Raffensperger, Trump, i lutej dhe e kërcënonte Raffensperger me pasoja të paqarta penale, në një përpjekje për të zhbërë humbjen e tij në këtë shtet ndaj presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Gazeta tha se gjatë gjithë telefonatës Raffensperger dhe këshilltari juridik i zyrës së tij, i kishin hedhur poshtë pohimet e Trump. Raffensperger i tha presidentit se ai po mbështeste teori konspirative të hedhura tashmë poshtë, ndaj atyre që ai i cilësoi si zgjedhje të lira e të drejta. Pjesë nga telefonata e regjistruar të botuara nga gazeta e konfirmonin një gjë të tillë.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje. Zyra e Raffensperger nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për komente.

Ndërkohë zëvendëspresidentja e zgjedhur Kamala Harris e ka cilësuar abuzim me pushtetin, presionin e presidentit Trump ndaj sekretarit të shtetit të Georgias për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

 “Është një abuzim i pafytyrë dhe i pacipë i pushtetit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara”- tha Harris.

Georgia është një nga disa shtetet kyçe, në të cilin Trump humbi gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit ndaj Biden. Por që prej asaj kohe Trump ka bërë akuza të pabazuara për manipulim me zgjedhjet dhe ka kërkuar të përmbysë rezultatin.

Të 50 shtetet kanë vërtetuar rezultatin e zgjedhjeve, disa pas rinumërimeve dhe ankesave ligjore. Kongresi pritet të miratojë zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve në 6 janar.

(Kosova Sot Online)