E rrëmbyen për hakmarrje milioneren e njohur, 13 persona dalin para gjykatës

  • E.K /
  • 05 January 2021 - 08:27
E rrëmbyen për hakmarrje milioneren e njohur, 13 persona dalin para gjykatës

Një italian i zemëruar, menaxher i një restoranti, një ish-ushtarak britanik dhe një detektiv privat janë mes 13 personave që kanë dalë në gjyq të hënën në Francë për rrëmbimin e një milionereje, trashëgimtare hotelesh.

Jacqueline Veyrac, pronarja 80-vjeçare e Grand Hotel në Kanë, dhe restorantit luksoz buzë detit La Reserve, u rrëmbye në rrugë më 24 tetor 2016 dhe u fut në bagazhin e një makine. Ajo u mbajt e lidhur për dy ditë në makinën e parkuar në një rrugë të qetë, para se të pikasej nga një kalimtar dhe të çlirohej.

I dyshuari kryesor në gjyq është Giuseppe Serena, ish-menaxher i La Reserve që me sa duket ishte zemëruar me Veyrac, pasi ajo i dha fund kontratës me të në 2009. Ai akuzohet se urdhëroi rrëmbimin e saj me qëllim që të merrte shpërblimin, me të cilin shpresonte të hapte një restorant të ri. Bashkëpunëtorët e dyshuar kanë thënë se italiani, që akuzohet edhe për një përpjekje të mëhershme për rrëmbimin e trashëgimtares së pasur, ishte truri i operacionit. Serena, që është në arrest prej katër vitesh, mohon akuzat.

Të 13 të akuzuarit ishin të pranishëm në gjykatë. Vetë Veyrac do të marrë pjesë në seancën e të enjtes, kur edhe do të japë dëshminë. Bashkëshorti i ndjerë i saj hapi Grand Hotel në Kanë, një nga ndërtesat më të famshme, ndihmuar edhe nga qenia në panoramën e festivalit të përvitshëm të filmit atje.

(Kosova Sot Online)