Seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për dërgimin e FSK-së në misione me Gardën Kombëtare të Ajovës

  • E.K /
  • 05 January 2021 - 12:52
Seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për dërgimin e FSK-së në misione me Gardën Kombëtare të Ajovës

Me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot prej orës 18:00 do të mbahet një Seancë e Jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, me një pikë të vetme të rendit të ditës, Marrja e vendimit për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës njofton Zyra për media e Kuvendit.

Në bazë të ftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Republikës së Kosovës  me 31 dhjetor 2021, ka miratuar vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Ky vendim i është dërguar Kuvendit të Republikës së Kosovës me propozimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione për mbështetje të stabilitet rajonal dhe operacioneve paqeruajtëse, nën Komandën Qendrore Amerikane.

Vendimi mbështetet në memorandumin që Qeveria e Republikës së Kosovës e ka nënshkruar me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit bashkë me Gardën Kombëtare të Ajovës.

(Kosova Sot Online)