11 të lënduar nga shpërthimi të shtrirë në Spitalin e Ferizajt, 13 në QKUK

  • A.P /
  • 05 January 2021 - 18:17
11 të lënduar nga shpërthimi të shtrirë në Spitalin e Ferizajt, 13 në QKUK

Shefi i Shërbimit Emergjent, Sejfedin Fazliu ka thënë se aktualisht të shtrirë për trajtim në këtë spital janë 11 persona të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në një lokal në Ferizaj.

Sipas tij në total trajtim kanë kërkuar 42 persona, prej tyre 13 me djegie të shkallës 30%.

Të njëjtit sipas tij janë dërguar për trajtim të me menjëhershëm në Qendrën Klinike, Universitare të Kosovës (QKUK).

“Pas orës 14:00 na kanë njoftuar se ka ndodhur një shpërthim, 200 metra afër Spitalit. Pas njoftimit i gjithë ekipi është mobilizuar për ti ofruar trajtim pacientëve të lënduar. Numri i pacientëve të lënduar ka qenë rreth 42. Një pjesë e tyre, 13 janë dërguar në QKUK për të marr një trajtim më cilësor meqenëse atje është edhe ekipi i kirurgjisë plastike.  11 pacientë janë të shtrirë këtu në Spitalin e Ferizajt që janë me lëndime më të lehta dhe nuk kanë rrezik për jetë”, ka thënë ai.

Për sa i përket personave që janë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal në Ferizaj, Fazliu tha se janë jashtë rrezikut për jetë.

“Shumica prej tyre janë të gatshëm që të lirohen në shtëpi. Lëndimet që kanë marrë kanë qenë kryesisht djegie të kokës, kraharorit, qafës dhe të ekstremiteteve të epërme. Pacientët që janë transferuar në QKUK kanë pasur djegie të shkallës 30%”, ka thënë ai. 

(Kosova Sot Online)