BIK e quan akt historik bashkëpunimin me Amerikën për dërgimin e FSK’së jashtë vendit

  • E.K /
  • 06 January 2021 - 12:24
BIK e quan akt historik bashkëpunimin me Amerikën për dërgimin e FSK’së jashtë vendit

Bashkësia Islame e Kosovës e ka konsideruar si historike dërgimin e trupave të Forcës se Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse, në bashkëpunim me Gardën Kombëtare të Iowa-s, kërkesë kjo e votuar në Kuvendin e Kosovës përgjatë seancës së djeshme, me 92 vota pro.

BIK’u, me anë të Facebook-ut, ka vlerësuar besimin që ia ka dhënë SHBA’ja trupave të FSK’së, teksa ka përgëzuar anëtarët e Forcës së Sigurisë për këtë arritje.

Pas një seance të jashtëzakonshme të thirrur dje, Kuvendi i Kosovës me 92 vota pro, asnjë abstenim dhe asnjë kundër e votoi kërkesën e SHBA’së për bashkëpunim në fushën e sigurisë me FSK’në.

Postimi i plotë i BIK-ut:

Miratimi i vendimit nga Kuvendi i Kosovës për dërgimin e ushtarëve të FSK-së, për të parën herë në misionin ushtarak jashtë territorit të Republikës së Kosovës, paraqet një akt historik për vendin dhe popullin tonë.

Rëndësia e këtij vendimi bëhet edhe më e veçantë për faktin se njësitë tona do të jenë në bashkërendim me partnerët tanë amerikan. Andaj, me këtë rast, e gjej të udhës që t’iu shpreh një falënderim të veçantë partnerit tonë strategjik, ShBA-ve, për besimin dhe vlerësimin që kanë treguar ndaj FSK-së dhe ndaj Republikës së Kosovës.

Përgëzoj djemtë dhe vajzat tona që shërbejnë në FSK, si dhe strukturën drejtuese të saj për këtë arritje, e cila vlerësohet lart dhe na bënë krenarë për faktin se kemi arritur që nga një vend që kemi konsumuar siguri, tanimë veç kemi ngritur kapacitete që ofrojnë siguri për të tjerët.

Zoti i ruajt dhe i nderoftë ushtarët tanë!

Myftiu i Kosovës

Naim ef. Tërnava 

(Kosova Sot Online)