Mitrovica u shndërrua në qytetin më të varfër nga kryetari më i pasur

  • A.P /
  • 06 January 2021 - 16:49
Mitrovica u shndërrua në qytetin më të varfër nga kryetari më i pasur

Kryetari dhe i nominuari për kryeministër i PDK-së, Enver Hoxhaj, qëndroi dje në Mitrovicë për një takim.

Megjithëse janë zgjedhjet nacionale, ai u mor me qeverisjen lokale të kryetarit Agim Bahtiri.

Enver Hoxhaj pretendoi se Mitrovica u shndërrua në qytetin më të varfër në Kosovë me qeverisjen e Agim Bahtirit. Madje, ai i shpalli “luftë” Bahtirit edhe për zgjedhjet e tetorit, kur garohet për kryetar komune.

Publikimi i plotë i Hoxhajt:

Të lodhur nga keqqeverisja dhe me vullnet të madh për ndryshim, Mitrovica është më e mobilizuar se kurrë ta përqafojë të ardhmen. Energjia të cilën e pamë edhe mbrëmë, ku së bashku me Bedri Hamzën takuam Degën dhe strukturat tona në këtë qytet, janë sinjali i parë që PDK po rikthehet fuqishëm në Mitrovicë. Një qytet që dikur ishte krenaria e Kosovës, është shndërruar në qytetin më të varfër në vend nga kryetari më i pasur.

Asgjë përveç mashtrimeve dhe diferencimeve në baza partiake e familjare nuk ka ndodhur në Mitrovicë në tetë vitet e fundit. Ky model qeverisës në dëm të qytetarëve do të marrë fund shpejtë. Zgjedhjet nacionale që do t’i kemi tani, do të tregojnë rritjen më të madhe të PDK-së në këtë komunë, deri në tetor kur do ta kemi edhe kryetarin e partisë tonë në këtë qytet. Faleminderit Mitrovicë.

(Kosova Sot Online)