Tensione në SHBA, protestuesit pro-Trump futen në ndërtesën e Kongresit

  • A.P /
  • 06 January 2021 - 20:41
Tensione në SHBA, protestuesit pro-Trump futen në ndërtesën e Kongresit

Ndërtesa e Kongresit amerikan u vu nën izolim për shkak se një numër protestuesish që mbështesin presidentin Donald Trump hynë në kompleksin e Kapitolit, ku ligjvënësit janë mbledhur në seancë për çertifikimin e votës elektorale të zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Gjendja në Kapitol dhe rreth tij është ende e tensionuar dhe ligjvënësit kanë ndërprerë seancat.

Ndërkaq, mijëra mbështetës të Presidentit Trump, duke përfshirë disa anëtarë të grupeve të dhunshme të ekstremit të djathtë, organizuan në kryeqytet demonstrata, ndërsa mbështesnin pretendimin e pabazë të presidentit se zgjedhjet u ishin vjedhur me anë të një komploti të sofistikuar.

Shumë prej tyre mbanin kapele dhe flamuj me parrullën e zotit Trump “Ta bëjmë Amerikës përsëri të Madhe”.

Presidenti foli para mijëra mbështetësve të mbledhur pranë Shtëpisë së Bardhë në lëndinën e quajtur Elipsi.

“Ne nuk do të dorëzohemi kurrë”. “Ne kurrë nuk do të pranojmë. Kjo nuk mund të ndodhë. Nuk mund të pranosh humbjen kur është fjala për vjedhje,” tha ai.

Duke iu referuar nënpresidentit Mike Pence që kryeson seancën në Kongres, Presidenti Trump tha:

“Shpresoj që Mike të bëjë gjënë e duhur. Kështu shpresoj. Kështu shpresoj, sepse nëse Mike Pence bën gjënë e duhur, ne do të fitojmë zgjedhjet. Kjo është gjithçka që ai duhet të bëjë… Ne duhet të mbrojmë vendin tonë, të mbështesim vendin tonë, të mbështesim kushtetutën tonë dhe ta mbrojmë kushtetutën tonë. Shtetet duan të përsëritet votimi, shtetet u vodhën. Iu dha informacion fals. Ata votuan bazuar mbi këtë dhe tani duan të përsëritet çertifikimi”.

Një nga djemtë e presidentit, Donald Trump Jr., dhe avokati i tij personal, Rudy Giuliani, gjithashtu folën në tubim.

Një natë më parë disa protestues u përplasën me policinë. Policia arrestoi këtë javë drejtuesin e organizatës Djemtë Krenarë, një grup që ka mbështetur presidentin Trump. Arrestimi u bë nën akuzat për shkatërrim pasurie në lidhje me një protestë të mëparshme dhe për posedim municioni.


(Kosova Sot Online)