Ish-kandidati republikan për president: Ajo që ndodhi në Kongres ishte një kryengritje e nxitur nga Presidenti

  • G.G /
  • 07 January 2021 - 11:51
Ish-kandidati republikan për president: Ajo që ndodhi në Kongres ishte një kryengritje e nxitur nga Presidenti

Senatori republikan dhe ish-kandidati i kësaj partie për president, Mitt Romney ka thënë se presidenti Donald Trump ka nxitur protestuesit e dhunshmë për tu futur në Kongresin amerikan, shkruan CNN.

Republikani Mitt Romney, i cili ka dënuar përpjekjet e Partisë Republikane për të përmbysur vullnetin e votuesve në zgjedhjet presidenciale, lëshoi një deklaratë të mërkurën mbrëma që përmban vërejtje që ai planifikonte t’i thoshte para protestave të dhunshme në kongresin amerikan.

“Ne mblidhemi sot për shkak të egoizmit të një njeriu dhe zemërimit të mbështetësve të tij të cilët ai i ka keqinformuar qëllimisht për dy muajt e fundit dhe ka nxitur të bëjnë ato veprime sot. Ajo që ndodhi këtu sot ishte një kryengritje, e nxitur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Ata që zgjedhin të mbështesin lojën e tij të rrezikshme duke kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve legjitime, demokratike do të shihen përgjithmonë si bashkëpunëtorë në një sulm të paparë kundër demokracisë sonë. Ata do të mbahen mend për rolin e tyre në këtë episod të turpshëm në historinë amerikane. Kjo do të jetë trashëgimia e tyre”, tha Romney.

Të mërkurën, ndërsa Kongresi u takua për të vërtetuar fitoren në Kolegj Zgjedhor të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, mijëra mbështetës të Presidentit Trump u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë për të bërë thirrje për përmbysjen e rezultateve të zgjedhjeve 2020.

Kongresi amerikan konfirmoi fitoren e presidentit të zgjedhur Joe Biden, pas numërimit të votave të Kolegjit Zgjedhor dhe rrëzimit të të gjithë kundërshtimeve nga ana e disa kongresmenëve dhe senatorëve republikanë.

Pas numërimit të votave të elektorëve nga shteti i Vermontit, presidenti i zgjedhur Biden dhe zëvendëspresidentja e zgjedhur Harris arritën kuotën e 270 votave që nevojiten për të fituar presidencën.

(Kosova Sot Online)