Haxhiu: Hilet e pengesat e mundshme vetëm sa na rrisin

  • S.A /
  • 07 January 2021 - 12:05
Haxhiu: Hilet e pengesat e mundshme vetëm sa na rrisin

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se 14 shkurti do të jetë dita kur kjo parti do të shënojë një fitore të madhe, shkruan Gazeta Express.

Haxhiu theksoi se hilet dhe pengesat e mundshme vetëm sa e rrisin këtë parti.

“Më 14 shkurt, fitorja e madhe e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Qeveria Kurti II janë të pashmangshme. Hilet e pengesat e mundshme vetëm sa na rrisin. Historia na ka dëshmuar kështu! Mbështetja e qytetarëve për Lëvizjen VETËVENDOSJE! është dyfishuar, ndër të tjera, sepse iu vu kleçka Qeverisë Kurti I, dhe atë në momentet më kritike për qytetarët. Kujtimi është shumë i freskët.

Qytetarët e kanë ndarë mendjen. Në Llap na e ka dëshmuar. Detyra jonë tash është që ta shpaguajmë këtë besim me punë, nder e besnikëri”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

Kujtojmë që dje ushtruesja e detyrës së Presidentit ka caktuar 14 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend. 

(Kosova Sot Online )