“Demokracia perëndimore e brishtë”, Irani, Kina dhe Rusia “fërkojnë duart” pas trazirave në SHBA

  • G.G /
  • 07 January 2021 - 13:41
“Demokracia perëndimore e brishtë”, Irani, Kina dhe Rusia “fërkojnë duart” pas trazirave në SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kritikuar për “brishtësinë e demokracisë perëndimore” nga Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, ndërkohë që Kina u tall me “pamjet e bukura” të trazirave në Kapitol, një ditë pasi protestues pro Trumpit hynë në ndërtesë dhe u përleshën me policinë.

Rouhani tha: “Ajo që pamë në SHBA dje, tregon mbi të gjitha brishtësinë e demokracisë perëndimore”.

Nga ana e saj, Kina i krahasoi protestat në Uashington me kaosin me protestat antiqeveritare në Hong Kong, në vitin 2019. Gjithashtu, kujtoi deklaratën e Nancy Pelosit, e cila në atë kohë tha se protestat masive në Hong Kong ishin një “pamje e mrekullueshme për t’u parë”.

“Nuk e dimë nëse tani, zonja Pelosi do të thotë të njëjtën gjë për pamjen që ofron Uashingtoni”, shkroi media shtetërore në rrjetet sociale.

Ndërsa në Rusi, deputeti Konstantin Kosachyov tha se ngjarjet në SHBA bëjnë të qartë se “demokracia amerikane po çalon me të dyja këmbët”.

(Kosova Sot Online)