Nasim Haradinaj ankohet në Apelin e Speciales, kryetarja e gjykatës cakton një panel gjykatësish për të

  • G.G /
  • 07 January 2021 - 14:10
Nasim Haradinaj ankohet në Apelin e Speciales, kryetarja e gjykatës cakton një panel gjykatësish për të

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova e ka caktuar një trup gjykues të Gjykatës së Apelit në kuadër të këtij tribunali, për ta shqyrtuar një ankesë të nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Trupi gjykues i përbërë nga tre gjykatës do ta shqyrtojë ankesën e Haradinajt, i cili e apeloi vendimin e gjykatësit Nicolas Guillou për t’ia vazhduar atij paraburgimin.

Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen janë gjykatësit që do ta shqyrtojnë dhe do të vendosin lidhur me ankesën e Nasim Haradinajt.

Haradinaj u arrestua në Prishtinë më 25 shtator të vitit të kaluar në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga gjykatësi një ditë më parë, dhe u transferuar në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë më 26 dhjetor.

Më 24 dhjetor të vitit që shkoi, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou urdhëroi vazhdimin e mbajtjes së Haradinajt në paraburgim dhe e refuzoi kërkesën e tij për ta mbajtur një seancë për këtë çështje.

Të martën, Haradinaj e apeloi këtë vendim në Gjykatën e Apelit që funksionon në kuadër të Gjykatës Speciale. 

(Kosova Sot Online)