Vizitën në Kosovë, Petkoviqi e përfundon në Lipjan: Serbia po e forcon sistemin shëndetësor këtu

  • G.G /
  • 07 January 2021 - 14:34
Vizitën në Kosovë, Petkoviqi e përfundon në Lipjan: Serbia po e forcon sistemin shëndetësor këtu

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq e ka përfunduar vizitën e tij dy-ditore në Kosovë duke vizituar Qendrën Shëndetësore në Gushtericë të Poshtme në Lipjan, e cila së fundmi ishte pajisur me një ambulancë nga qeveria serbe.

Petkoviq tha se punëtorët shëndetësorë në Kosovë janë heronj të vërtetë që kanë mbajtur një barrë të rëndë në luftën kundër koronavirusit në vitin paraprak.

“Pikërisht për shkak të kësaj, shteti i Serbisë po bën gjithçka për të ndihmuar sistemin shëndetësor këtu, por edhe në të gjitha vendet e tjera. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se 2021 do të jetë një vit në të cilin ne do të forcojmë më tej sistemin shëndetësor të Republikës së Serbisë, sepse gjëja më e rëndësishme është shëndeti i njerëzve”, tha Petkoviq.

Ai vuri në dukje se përveç ambulancës së dhuruar së fundmi, qeveria serbe dhe zyra të cilën ai e udhëheq do të vazhdojnë ta ndihmojnë kujdesin shëndetësor në Kosovë.

“Kjo është një mundësi për të thënë edhe një herë se shteti i Serbisë ka ndarë gjashtë milionë euro për ndërtimin e një spitali të ri në Graçanicë, e cila është trefishi i shumës së planifikuar fillimisht. Kjo tregon mjaft se sa shteti i Serbisë dhe presidenti Aleksandar Vuçiq kujdesen për popullin serb në Kosovë dhe Metohi. Ashtu siç po bëjmë gjithçka për të forcuar sistemin shëndetësor në Serbinë qendrore, ne po bëjmë gjithashtu përpjekje për ta bërë këtë në Kosovë dhe Metohi pa bërë ndonjë ndryshim”, tha ai.

Sipas tij, lufta kundër koronavirusit në komunitetet serbe është nën kontroll.

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm u lajmërua nga malet e Kosovës në veri. Petkoviq po qëndron dje dhe sot në Kosovë me një kërkesë për vizitë, të cilën Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ia kishte refuzuar.

MPJD në një përgjigjje për median ka thënë se Petkoviq më 4 janar kishte bërë kërkesë për këtë vizitë, ndërsa ajo i ishte refuzuar të nesërmën.

Kjo ministri thotë se vizitën e Petkoviqit në Kosovë e kanë lejuar “autoritetet mbi MPJD-në”, pa specifikuar se kush. 

(Kosova Sot Online)