Osmani e Hoti kanë vetëm pak ditë kohë për të zgjedhur “kryespiunin”

  • A.P /
  • 08 January 2021 - 20:40
Osmani e Hoti kanë vetëm pak ditë kohë për të zgjedhur “kryespiunin”

Ushtrueses së detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmanit dhe kryeministrit në detyrë, Avdullah Hotit, i kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ditë pune kohë që të zgjedhin kreun e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Por, si shkon procedura dhe cilat janë kriteret për t’u bërë shef i instituticionit më të lartë të sigurisë në vend?

Po bëhen gati një muaj që nga koha kur pozita e Shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë ka mbetur me ushtrues detyre. Deri më 17 dhjetor të vitit të kaluar, agjencia udhëhiqej nga Kreshnik Gashi, i cili u lirua nga detyra me kërkesë të kryeministrit Hoti.

Por, personi që do ta zëvendësojë Gashin, pritet të zgjidhet shumë shpejt. Kështu e parasheh edhe Ligji për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Në bazë të Nenit 5 të këtij ligji, Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI’së brenda njëzet ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.

Sipas asaj që parashihet me ligji, për emërimin e “kryespiunit”, Hotit e Osmanit iu kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ditë pune kohë.

Në Zyrën e Kryeministrit kanë thënë se Gashi është liruar nga detyra më 17 dhjetor dhe se që nga ajo ditë, institucioni udhëhiqet nga zëvendësdrejtoresha. 

“Z. Gashi është liruar nga detyra me datë 17.12.2020, që nga marrja e vendimit institucioni udhëhiqet nga zëvendësdrejtoresha znj.Hyseni. Në perputhje me ligjislacionin ne fuqi i cili rregullon çështjet që kanë të bëjnë me AKI së shpejti edhe do të zgjidhen edhe çështjet e mbetura pezull për sa i përket këtij institucioni”, ka deklaruar shefja e stafit të Kryeministrit Hoti, Ardita Dushi.

Kriteret për zgjedhjen e Shefit të AKI’së

Bazuar në Ligjin për Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, Drejtori i AKI-së duhet të ketë arsimim universitar dhe duhet të emërohet mbi baza të profesionalizmit dhe përvojës së dëshmuar.

Ai emërohet për një mandat pesë vjeçar, i cili mund të vazhdohet edhe njëherë, derisa shkarkimi i tij bëhet nëpërmjet procesit të njejtë me të cilin është emëruar.

“Në kryerjen e përgjegjësive të veta, drejtori i AKI-së ndihmohet nga një zëvendësdrejtor, udhëheqësit e njësive organizative, këshilltarët, dhe personeli me kualifikim të duhur sipas nevojës, në pajtueshmëri me rregullat dhe procedurat e parashtruara me këtë Ligj dhe Rregulloren e Organizimit të Brendshëm”, thuhet në ligj.

Shefi i AKI’së shërben edhe si këshilltar i Presidentit dhe Kryeministrit për çështje të inteligjencës që kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës.

(Kosova Sot Online)