Kimi s’ndryshon mendje: ShBA-ja armikja më e madhe, do ta vazhdojmë programin bërthamor

  • S.A /
  • 09 January 2021 - 09:34
Kimi s’ndryshon mendje: ShBA-ja armikja më e madhe, do ta vazhdojmë programin bërthamor

Diktatori i Koresë Veriore, Kim Jong-un, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë armikja më e madhe e vendit të tij dhe se nuk pret që Uashingtoni ta ndryshojë politikën ndaj Pjongiangut, pavarësisht ndërrimit të presidentit.

Duke folur në një kongres të rrallë të Partisë së Punëtorëve, ai u zotua se Koreja Veriore do ta zgjerojë potencialin e saj të armëve bërthamore. Sipas tij, planet për një nëndetëse bërthamore janë pothuajse të kompletuara.

Analistët thonë se komentet e Kimit janë përpjekje për t’i bërë trysni qeverisë në ardhje në Shtetet e Bashkuara, kur kanë mbetur vetëm edhe 11 ditë deri në inaugurimin e presidentit të ri amerikan, Joe Biden.

Lideri komunist ka pasur raporte të ngrohta me presidentin në largim të ShBA-së, Donald Trump, ndonëse u shënua pak përparim gjatë bisedimeve rreth programit bërthamor të Koresë Veriore, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Gjatë kongresit të tetë të partisë në pushtet, Kim tha se Koreja Veriore nuk synon që t’i përdorë armët e veta bërthamore, nëse forcat armike nuk planifikojnë t’i përdorin të parat ato kundër vendit të tij.

“Shtetet e Bashkuara janë pengesa më e madhe për revolucionin tonë dhe armikja jonë më e madhe. Pavarësisht kush është në pushtet, natyra e vërtetë e politikës së saj kundër Koresë Veriore nuk do të ndryshojë kurrë”, deklaroi Kim Jong-un.

Ndryshe, Koreja Veriore ka arritur që në masë të konsiderueshme ta avancojë arsenalin e vet ushtarak, pavarësisht sanksioneve të rrepta ekonomike që i janë vënë nga komuniteti ndërkombëtar.

(Kosova Sot Online )