Stuhia e rrallë e borës bllokon këtë vend, mbyllet aeroporti

  • E.K /
  • 09 January 2021 - 10:11
Stuhia e rrallë e borës bllokon këtë vend, mbyllet aeroporti

Reshjet e mëdha të borës që i solli stuhia Filomena la mijëra vozitës spanjollë të bllokuar në vetura të premten pasi rrugët u bënë të pakalueshme dhe aeroporti i qytetit u mbyll.

Autostradat M-30 dhe M-40 afër Madridit ishin në mesin e mbi 400 rrugëve ku qarkullimi i veturave u vështirësua nga bora, bënë të ditur autoritetet. Nga qytetarët u kërkua që të shmangen udhëtimet jourgjente për shkak të stuhisë së pazakonshme.

Foto: Reuters

“Dola me veturë për ta vizituar bashkëshortin në spital dhe jam bllokuar këtu që tri orë. Është një rrugëtim që do të duhej të zgjaste 15 minuta”, i tha një grua televizionit RNE nga vetura.

Meteorologët thanë se të premten mund të ketë rënë borë në trashësi prej 20 centimetrash. Kryqi i Kuq u dërgoi ushqim vozitësve të kamionave, të cilët janë bllokuar në rrugën A4 në kryqytetin spanjoll.

Foto: Reuters

“Për shkak të kushteve të vështira meteorologjike, fluturimet në aeroportin Barajas të Madridit janë ndërprerë. Konsultohuni me kompaninë tuaj të fluturimeve për fluturimin tuaj”, thuhet në njoftimin e autoriteteve.

Sidoqoftë, disa njerëz e mirëpritën borën si mundësi për t’u zbavituar. Skitarët u lëshuan me skija në sheshin Puerta del Sol të Madridit, shkruan Reuters.

Lojtarët e klubit të futbollit, Real Madrid, të cilët duhej të fluturonin drejt Pamplonas për t’u ndeshur me Osasunën, u lanë duke pritur katër orë në aeroport para se fluturimi të realizohej.

(Kosova Sot Online)