Angela Merkel premton më shumë vaksina për gjermanët

  • E.K /
  • 09 January 2021 - 12:54
Angela Merkel premton më shumë vaksina për gjermanët

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, të shtunën u zotua se vendi do të rrisë ritmin e një programi mbarëkombëtar të vaksinimit kundër koronavirusit.

“Ka qenë një fillim i ngadaltë”, ka thënë Merkel, transmeton agjencia DPA.

Sipas statistikave të fundit nga Instituti për sëmundjet infektive Robert Koch, afërsisht gjysmë milioni njerëz kanë marrë dozën e parë të vaksinës, mesatarisht rreth 40,000 vaksinime të kryera në ditë në vendin me rreth 83 milionë banorë.

Qeveria është vënë nën presion për të rritur shpejtësinë dhe për të porositur më shumë vaksina nga Pfizer dhe BioNTech.

“Ne do të kemi vaksina të mjaftueshme për të gjithë në Gjermani”, tha Merkel, duke shtuar se brenda disa muajsh, autoritetet “do të jenë në gjendje të ofrojnë një vaksinim për këdo që e dëshiron atë”.

Të shtunën, Gjermania raportoi për 24.694 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 1.891.581. Nga sëmundja COVID-19, kanë vdekur edhe 1.083 persona, dhe me këtë shifër, numri i përgjithshëm i viktimave u rrit në 39.878.

(Kosova Sot Online)