Armend Zemaj: Ishte shumë e vështirë të gjenden shtete që do të mund të hapnin dyert për dy pacientët tanë

  • E.K /
  • 09 January 2021 - 15:21
Armend Zemaj: Ishte shumë e vështirë të gjenden shtete që do të mund të hapnin dyert për dy pacientët tanë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se dy të lënduarit nga aksidenti në Ferizaj u dërguan sot për trajtim mjekësor të mëtejmë ne Grac te Austrisë, nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës.

Zemaj tha se ishte shumë e vështirë të gjenden shtete që do të mund të hapnin dyert dhe të merrnin për trajtim dy pacientët .

“Sot, dy qytetarët e lënduar në Ferizaj, u nisën për trajtim mjekësor, për Graz të Austrisë, falë përkrahjes dhe mbështetjes së këtij shteti mik.

E falënderoj ambasadorin austriak në Kosovë dhe ambasadorin e Kosovës në Austri, të cilët me përkushtim të madh, kanë kontribuar që të gjendet mundësia dhe përkrahja që sa më parë të nisen dy qytetarët e lënduar për trajtim.

Situata në të cilën ndodhet tërë bota, shkaku i pandemisë, është tepër e rëndë. Shtretërit e lirë dhe emergjencat tjera, janë të stërngarkuara nga pacientët, në tërë botën. Ishte shumë e vështirë të gjenden shtete që do të mund të hapnin dyert dhe të merrnin për trajtim dy pacientët tanë.

I falënderoj të gjitha familjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim. Përkushtimi ynë për çdo pacientë do të vazhdojë”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Si pasojë e këtij shpërthimi kanë pësuar lëndime trupore 44 persona. 14 prej tyre shkaku i lëndimeve të rënda janë transportuar për tretman në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

(Kosova Sot Online)