Në prani të përfaqësuesve të Luginës, Hoti refuzon të flasë për bashkim kombëtar, jep një version tjetër të intergrimit mbarëshqiptar

  • G.G /
  • 11 January 2021 - 12:41
Në prani të përfaqësuesve të Luginës, Hoti refuzon të flasë për bashkim kombëtar, jep një version tjetër të intergrimit mbarëshqiptar

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka refuzuar ta përmend bashkimin kombëtar në një konferencë të përbashkët me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, pasi paraprakisht, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) shprehu aspiratën e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën. Në vend të bashkimit klasik të territorit, Hoti e ka treguar vizionin e tij për një mënyrë tjetër të integrimit të shqiptarëve.

Vizioni afatgjatë, Hoti ka thënë se janë integrimet mbarëshqiptare, realizimi i të cilit do të ishte i mundur dhe ku shqiptarët në rajon do të mund të lëviznin pa pengesa.

“Të mundësojmë sa më parë integrimet mbarëshqiptare. Kjo është për ne vizioni afatgjatë. Kjo nënkupton një rajon të qetë ku Serbia dhe Kosova e përmbyllin dialogun me njohje reciproke, ku mbarë rajoni është pjesë e Bashkimit Evropian dhe ku shqiptarët e Luginës së Preshevës lëvizin nga Presheva deri në Shkodër e deri në jug të Shqipërisë, gjithkah, pa asnjë kufizim, me të drejta të plota, në Tetovë, në Shkup, në Mal të Zi dhe në të gjitha viset shqiptare. Këto janë integrimet mbarëshqiptare”, tha Hoti.

Ai u shpreh se “jemi në rrugë të mirë në atë drejtim”.

Hoti e pranoi se ka dallime me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës në mënyrën se si e shohin integrimin mbarëkombëtar.

“Edhe unë e kam aspiratë integrimin mbarëshqiptar dhe në atë drejtim po punojmë. Është çështje tjetër se si e shohim këtë integrim”, tha Hoti. 

(Kosova Sot Online)