I përzgjedhuri i Joe Biden për ta udhëhequr CIA’n William Burns kishte vizituar Kosovën

  • E.K /
  • 11 January 2021 - 15:24
I përzgjedhuri i Joe Biden për ta udhëhequr CIA’n William Burns kishte vizituar Kosovën

Joe Biden, presidenti i zgjedhur amerikan ka bërë me dije se planifikon ta vendos në krye të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns diplomat veteran dhe kritikues i Presidentit Trump.

Burns, 64 vjecar, ka shërbyer si ish -ambasador i SHBA’së në Rusi dhe Jordani. Ai ka mbajtur pozitën e Nënsekretarit të Shtetit gjatë Presidencës së Obamës, por ishte larguar nga State Departamenti në vitin 2014 për ta udhëhequr një think -tank.

 Biden ka deklaruar se Burns “ndanë bindjen time të thellë se inteligjenca duhet të jetë apolitike dhe se profesionistët e dedikuar që i shërbejnë vendit tonë meritojnë falënderim dhe respekt”.

Arritjet e Burns përfshijnë përdorimin e kanaleve jozyrtare për të nisur negociatat ndërkombëtare me Iranin rreth ambicieve nukleare të këtij shteti. Ai ishte larguar nga qeveria derisa SHBA dhe shtetet tjera ishin duke punuar rreth marrëveshjes që do ta kufizonte programin nuklear të Iranit e që ishte arritur më pak se 1 vit pas pensionimit të Burns.

Vitin e kaluar Burns kishte kritikuar ashpër administratën e Trump për shkak të keqtrajtimit që presidenti amerikan në largim i kishte bërë Marie Yovanovitch diplomates amerikane në Ukrainë, shkarkimi i së cilës ishte bërë temë qendrore në procedurën për shkarkim të Presidenti dhe gjykimit në Senat.

Burns nuk është protagonist i panjohur për kosovarët. Në vitin 2012 ai kishte qëndruar në Kosovë në cilësinë e Nënsekretarit të Shtetit në kohën kur në Kosovë si ambasador ishte Christopher Dell. Burns ishte shoqëruar nga Philip Reeker asokohe Zëvendës Ndihmës i Sekretarit të Shtetit që tani po ashtu mban pozitë të lartë në Departament të Shtetit. Bashkë me zyrtarët ndërkombëtarë dhe kosovarë, Burns kishte diskutuar për dialogun Kosovë -Serbi.

(Kosova Sot Online)