LDK’-ja dënohet me 2 mijë euro

  • A.P /
  • 11 January 2021 - 15:58
 LDK’-ja dënohet me 2 mijë euro

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës ka gjobitur me 2 mijë euro Lidhjen Demokratike të Kosovës, për shkak të mbajtjes së një tubimi në të cilin nuk u respektuan masat anti-Covid.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Inspeksionit në Prishtinë, Adonis Tahiri.

“Zbatimi masave për parandalimin e shpërndarjes së virusit, është i domosdoshëm. Shkeljet sanksionohen në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës – neni 25, paragrafi 1”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ai ka shtuar se nëse partitë nuk i respektojnë masat anti-Covid të cilat i kanë votuar vetë, do të vazhdojnë gjobat.

“Iu bëjmë thirrjeve subjekteve politike që të respektojnë ligjet dhe vendimet që vet i kanë votuar. Në të kundërtën, gjobat iu shkojnë në zyrat qendrore të partive, për secilin tubim në Prishtinë”, ka shkruar Tahiri.

(Kosova Sot Online)