Rasti i parë, gorillat dalin pozitive në testin për Covid-19

  • E.K /
  • 12 January 2021 - 08:51
Rasti i parë, gorillat dalin pozitive në testin për Covid-19

Disa gorilla në një kopsht zoologjik në San Diego të Shteteve të Bashkuara kanë dalë pozitive në testin për koronavirus. Besohet se ky është rasti i parë i infektimit të konfirmuar të këtij lloji të kafshës në kopshte zoologjike.

Drejtoresha ekzekutive e parkut ku ndodhet ky kopsht zoologjik, Lisa Peterson, tha të hënën se tetë gorilla që jetojnë së bashku në kopsht besohet se e kanë virusin e ri dhe disa prej tyre janë parë duke u kollitur, shkruan The Guardian.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, konfirmoi të hënën në një konferencë për gazetarë se së paku dy gorilla kanë dalë pozitive në testin për koronavirus, ndërsa tri të tjera kanë simptoma.

Duket se virusi në kopshtin zoologjik u përhap nga një pjesëtar i ekipit për përkujdesje ndaj kafshëve, i cili gjithashtu ka dalë pozitiv në test, por nuk ka shfaqur simptoma. Përmes një deklarate, kopshti zoologjik tha se prania e sëmundjes Covid-19 u konfirmua përmes mostrave të fekaleve të gorillave dhe rezultati nuk e përjashton përfundimisht praninë e virusit te kafshët tjera të kopshtit.

Drejtoresha e parkut tha se veterinerët janë duke i përcjellë për së afërmi gorillat, të cilat do të vazhdojnë të mbahen në habitatin e tyre.

Ende nuk është e qartë se cilat kafshë mund të infektohen me koronavirus. Në disa shtete, tashmë janë raportuar raste të maceve dhe qenve shtëpiakë që janë prekur nga virusi i ri, ndërsa shkencëtarët besojnë se prejardhja e koronavirusit është nga lakuriqët.

(Kosova Sot Online)