Gjykata Supreme e ShBA-së ia bën bajat Trumpit, ia rrëzon tri padi

  • E.K /
  • 12 janar 2021 - 10:21
Gjykata Supreme e ShBA-së ia bën bajat Trumpit, ia rrëzon tri padi

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të hënën refuzoi që t’i marrë në shqyrtim edhe tetë raste të lidhura me Trumpin për sfidimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

Ashtu siç pritej, gjykatësit refuzuan që t’i shqyrtojnë rastet e lidhura me rezultatin e zgjedhjeve, përfshirë tri raste të paraqitura nga zyrtarët e fushatës së Trumpit për rezultatet në Wisconsin dhe Pensilvani, dy shtete ku Bideni shënoi fitore.

Tashmë ishte e qartë që Gjykata Supreme nuk do të ndërhyjë, sepse nuk kishte marrë asnjë masë para se Kongresi javën e kaluar ta miratonte zyrtarisht fitoren e Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit, shkruan Reuters.

Në zgjedhjet e vitit të kaluar pati numër të madh të votave me postë, kryesisht për shkak të frikës së njerëzve nga infektimi i mundshëm me koronavirus. Rezultatet kanë treguar se shumica e këtyre votave kanë shkuar për Partinë Demokratike, ndërsa Trumpi ka hedhur akuza të pabaza për mashtrime me këto vota.

Sidoqoftë, Gjykata Supreme ka mbajtur distancë me përpjekjet e Trumpit pas zgjedhjeve për të qëndruar në pushtet. Muajin e kaluar, kjo gjykatë e refuzoi një padi të prokurorit të përgjithshëm të Teksasit, të përkrahur nga Trumpi, rreth kërkesës për refuzimin e rezultatit të zgjedhjeve në katër shtete.

Ndryshe, presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do të inaugurohet si shef i Shtëpisë së Bardhë më 20 janar, të mërkurën e javës së ardhshme.

(Kosova Sot Online)