Franca goditet nga gripi i shpezëve, asgjëson 600.000 rosa

  • G.G /
  • 12 January 2021 - 12:44
Franca goditet nga gripi i shpezëve, asgjëson 600.000 rosa

Së paku 600.000 rosa janë asgjësuar në Francë gjatë dy javëve të kaluara për shkak të përhapjes së gripit të shpezëve, i cili shkaktohet nga virusi H5N8.

Të hënën, ministri i Bujqësisë, Julien Denormandie, i tha një radiostacioni lokal se janë vërtetuar gjashtë vatra të përhapjes në rajonin Gers dhe gjithsej 180 në mbarë vendin, shkruan Anadolu.

Gripi i shpezëve nuk përhapet te njerëzit përmes konsumimit të mishit apo vezëve, por është shumë ngjitës mes shpezëve.

Përmes një deklarate, ministri Denormandie tha se autoritetet janë duke i përshpejtuar masat për ta dyfishuar kapacitetin e therjes dhe për t’i përkrahur fermerët me kompensim financiar.

Prania e gripit të shpezëve në Francë fillimisht u vërtetua në rajonin Landes, që ka numër të madh të fermave të rosave.

Më vonë, gripi u përhap në rajonet fqinje, Hautes-Pyrenees, Pyrenees-Atlantiques dhe Gers. Për ta parandaluar përhapjen e mëtejme, autoritetet njoftuan për therje nga data 24 dhjetor në rreze prej pesë kilometrash nga fermat e rosave.

Gripi i shpezëve është përhapur edhe në Britaninë e Madhe, Gjermani, Holandë dhe Danimarkë. Përhapje të ngjashme të këtij gripi në Francë kanë ndodhur edhe më 2015 dhe 2017.

(Kosova Sot Online)