Armend Muja edhe zyrtarisht në Vetëvendosje

  • A.P /
  • 12 January 2021 - 17:25
Armend Muja edhe zyrtarisht në Vetëvendosje

Analisti politik Armend Muja i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, ani pse para disa ditësh e mohoi, aderimin e tij në këtë subjekt politik.

Lajmin për aderimin e Mujës në LVV e ka bërë të ditur Albin Kurti, me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook.

Postimi i plotë i Kurtit:

Me Armendin njihemi qëmoti, por nga sot, do të jemi edhe aktivistë e kolegë në VETËVENDOSJE!. Me disa anëtarë të Kryesisë dhe ish deputetë, i uruam mirëseardhje Armend Mujës, e më pas zhvilluam një diskutim rreth zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit dhe qeverisjes sonë të ardhshme. Ai tani është drejtor i Kolegjit Riinvest dhe ligjërues i ekonomisë politike ndërkombëtare. Armendi ka kryer studimet në London School of Economics dhe Corvinus University. Në Master dhe Doktoratë ka punuar në ekonominë politike të Evropës Jug-Lindore. Më herët ka shërbyer si drejtor për çështje akademike në Kolegjin UBT. Gjithashtu ai ka punuar si këshilltar në projektet e Programit për Reforma Ekonomike (ERP), Planin e Zhvillimit Kombëtar dhe Vlerësim të Planit Strategjik Arsimor për GIZ, UNDP dhe Këshillin e Evropës. Armend Muja është me prejardhje nga Mitrovica dhe mezi presim të punojmë bashkë në Lëvizje.

Ndryshe, ish-analisti Muja njihet për përkrahjen që i ka bërë LVV-së në paraqitjet e tij publike. 

(Kosova Sot Online)