Lajçak: Pres që qeveria e re e Kosovës ta vazhdojë dialogun me Serbinë

  • A.P /
  • 12 January 2021 - 18:19
Lajçak: Pres që qeveria e re e Kosovës ta vazhdojë dialogun me Serbinë

Emisari Special i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në një bashkëbisedim virtual me ambasadoren e Gjermanisë në Washington Emily Margarethe Haber ka thënë se po presin formimin e qeverisë së re në Kosovë në mënyrë që të vazhdojnë me raund tjetër të dialogut. Lajçak u shpreh se pret që ekzekutuvi i ri kosovar që do të dalë pas zgjedhjeve të vazhdojë negociatat me Serbinë në Bruksel.

“Nuk është koha që të organizojmë një raund tjetër të dialogut pasi po presim që qeveria e re të dalë nga zgjedhjet dhe të ketë mandat të fortë dhe e cila do ta vazhdojë procesin e negociatave në Bruksel. Nuk mund të ketë normalizim ekonomik mes dy shteteve pa pasur normalizim politik. Ne duhet të prezantojmë modelin evropian për Ballkanin”, ka thënë Lajçak.

Në fjalën e saj ambasadorja gjermane në ShBA, Emily Margarethe Haber ka thënë se kur Serbia ta njeh Kosovën, këtë duhet ta bëjnë edhe 5 shtetet e BE’së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Kur Serbia të jetë gati që të njoh Kosovën, nuk shoh ndonjë ndalesë që shtetet e tjera të mos e njohin Kosovën”, ka thënë ajo.

Lajçak poashtu ka kërkuar një involvim më të fuqishëm të BE’së në Ballkan, veçanërisht në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, pasi sipas tij dy shtetet nuk kanë shënuar ndonjë progres drejt BE’së.

“Është e rëndësishme që BE’ja të kuptojë që çfarë po bëjmë në Ballkan nuk është vetëm për Ballkanin por edhe për Bashkimin Evropian. BE’ja duhet të ju japin perspektivë Kosovës dhe Serbisë. Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull, kurse Kosova ende nuk ka liberalizim vizash. E gjithë kjo është çështje politike dhe jo teknike dhe pres që BE’ja të veprojë në këtë drejtim dhe kjo është mjaft e rëndësishme. Nëse ky rajon nuk është i inkorporuar në sistemin e vlerave të BE’së, do të thotë se Ballkani do të fus një sistem të ndonjë lojtari tjetër global dhe besoj se kjo nuk është në interes të ShBA’së”, ka deklaruar Lajçak.

Ai ka thënë tutje se nëse ndodh normalizim i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë atëherë edhe shtetit prej nga vjen Lajçak, Sllovakia do ta rishqyrtonte pozicionin e saj karshi Kosovës.

“Kur jam pyetur se kur Sllovakia do ta njeh Kosovën, është e qartë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të jetë lajm i mirë edhe për shtetin tim që ta rishqyrtojë pozicionin mosnjohës ndaj Kosovës”, ka thënë ai.

Emisari Lajçak ka folur edhe për marrëveshjen e 4 shtatorit, për të cilën ka thënë se nuk është marrëveshke klasike por më shumë deklarime politike të palëve.

“Nuk është një marrëveshje ajo e 4 shtatorit, sepse janë deklarime politike të cilat janë nënshkruar nga Prishtina dhe Beogradi, nuk ka ndonjë mekanizëm zbatues dhe varet nga vullneti i mirë i palëve. Ne jemi duke negociuar në Bruksel një marrëveshje që do të ketë të gjitha elementet e marrëveshjes, ne duhet të jemi të qartë dhe preciz në procesin e dialogut”, ka thënë diplomati sllovak.

(Kosova Sot Online)