Lexoni edhe:
Ministria e Drejtësisë thotë se në javët në vijim do të publikojnë pagesat e avokatëve të të akuzuarve në Speciale
Nënkryetari i LDK’së Ismet Beqiri ka njoftuar se nuk do të jetë në listën e partisë për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Nëpërmjet një shkrimi në Facebook ai ka thënë se një vendim të tillë e ka marrë për të “liruar hapësirë për kandidatë tjerë”.
“Me dëshirën dhe vullnetin tim të plotë kam vendosur që të mos jem pjesë e listës zgjedhore në këto zgjedhje, duke liruar hapësirë për kandidatë tjerë nga Dega ime e pamposhtur, që të jenë kandidatë, pse jo edhe Deputet të ardhshëm”, shkroi Beqiri në Facebook.
Beqiri ka udhëhequr me kryeqytetin në dy mandate në të kaluarën. Ndërkohë së fundi shpesh e ka lënë të kuptohet se ai do të jetë kandidat i LDK’së për kryetar në zgjedhjet e ardhshme.
Shkrimi i plotë i Beqirit në Facebook:
Të dashur qytetarë,
Anëtar dhe veprimtarë të LDK-së,
Me 14 shkurt do ti kemi zgjedhjet nacionale.
Besimi që qytetarët e Kosovës i kanë dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës për vite me radhë do të vuloset edhe njëherë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.
Deri më tani kam qenë në listat e LDK-së në 8 palë zgjedhje (2 lokale dhe 6 nacionale).
Në të gjitha këto unë dhe Dega ime kemi dalur fitues.
1 mandat Këshilltar Komunal,
1 mandat Kryetar i Komunës së Prishtinës dhe
6 legjislatura Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kam marrë besimin e qytetarëve për të përfaqësuar zërin e tyre dhe me gjithë qenien time jam munduar që të bëhem reflektim i punës së mirë, që më është besuar për vite me radhë.
Me dëshirën dhe vullnetin tim të plotë kam vendosur që të mos jem pjesë e listës zgjedhore në këto zgjedhje, duke liruar hapësirë për kandidatë tjerë nga Dega ime e pamposhtur, që të jenë kandidatë, pse jo edhe Deputet të ardhshëm.
Për këtë kam marrë edhe pëlqimin e Degës time, në mbledhjen e mbajtur mbrëmë.
Si çdo herë do të jem, në krye të Degës që i qëndroi përherë besnik LDK-së, për të dalur fitues edhe nga këto zgjedhje.
Kontributi im si Nënkryetar i LDK-së dhe Kryetar i një prej Degëve më të fuqishme në Kosovë, do të jetë maksimal për suksesin tonë në këto zgjedhje.
Me punë e përkushtim, drejt fitores së radhës.
I falenderoj votuesit e mi besnik që për më shumë se 20 vite më dhanë besimin e tyre, të cilin me punë të ndershme nuk ua kam keqpërdorur asnjëherë. Dëshmia më e mirë është përkrahja juaj mbi 2 dekada.
Shihemi shpejt edhe në proceset tjera zgjedhore.
Fundi i një rrugëtimi nënkupton fillimin e një rrugëtimi të ri.
Përjetë me LDK-në.
I juaji,
Ismet Beqiri
(Kosova Sot Online)