Akuzat se Natyra Kuçi dhe të tjerët u rrahën në stacion policor, IPK nis hetimet

  • E.K /
  • 13 January 2021 - 13:46
Akuzat se Natyra Kuçi dhe të tjerët u rrahën në stacion policor, IPK nis hetimet

Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur grumbullimin e informacioneve duke përfshirë dëgjimin e palëve, pas arrestimit të djeshëm të zyrtarëve të PSD-së, pasi këta të fundit u ankuan se u rrahën nga zyrtarët policorë.

Në përgjigjen e IPK-së thuhet se “Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar për këtë rast nga Policia e Kosovës dhe hetuesit i janë përgjigjur rastit duke dalë në vendin ngjarjes në Prishtinë. Hetuesit e IPK-së kanë filluar menjëherë grumbullimin e informacioneve duke përfshirë dëgjimin e palëve si dhe kanë kontaktuar me prokurorin kompetent i cili ka qenë në vendin e ngjarjes”.

Tutje në përgjigjen e tyre thuhet se “Veprimet tjera hetimore priten të ndërmerren në konsultim me prokurorinë kompetente në përputhje me misionin ligjor të Inspektoratit Policor të Kosovës”.

Tubimi i PSD-së me parullën “Për partitë tubime, për qytetarët dënime”, përfundoi me arrestimin e Dardan Molliqajt dhe shoqërimin në stacionin policor të 15 aktivistëve të tjerë.

Sipas policisë, gjatë arrestimit dhe shoqërimit, janë lënduar tre zyrtarë policorë, të cilët më pas kanë pranuar tretman mjekësor.

“Me vendim të prokurorit, pas intervistimit personat janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, ka njoftuar tutje policia.

Ndërsa, Frashër Krasniqi i PSD-së, pas lirimit ka publikuar identitetin e një zyrtari policor, që sipas tij e ka goditur në kokë Natyra Kuçin, edhe pse kjo e fundit ishte me duar të lidhura.

“Ky është Fatmir Miftari. Rreshteri i Policisë së Kosovës që e goditi në kokë Natyra Kuçin edhe pse ishte me duar të lidhura brenda stacionit policor. Pas reagimit tonë verbal, ai më mori në zyrën e tij dhe bashkë me 4-5 policë të tjerë më goditën për disa minuta pa ndërprerë.

Njësoj, disa policë të tjerë ushtruan dhunë ndaj Dardan Molliqajt, Nol Nushit, Veton Dragushës dhe aktivistëve të tjerë. Të gjithë me duar të lidhura. Të gjithë brenda stacionit policor.

Brutalitet e dënime për aktivistët e qytetarët, tolerancë e mbrojtje për partitë e pushtetet. Kjo është Policia e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në Facebook. 

(Kosova Sot Online)