Lexoni edhe:
AAK prezenton disa nga kandidatët për deputetë
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi të mërkurën ndaj pretendimeve nga përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili ka thënë se nëse Serbia e ndryshon pozicionin karshi Kosovës, atëherë njëjtë do të mund të vepronin edhe pesë vendet evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Sipas Osmanit është për të ardhur keq nëse politika e jashtme e këtyre vendeve i nënshtrohet asaj të Serbisë dhe Rusisë.
“Përveç që është për keqardhje, është edhe e rrezikshme për gjithë Bashkimin Evropian që pesë shtetet anëtare të tij të përcaktojnë rregullat dhe qasjet e tyre duke u bazuar në dëshirat dhe kërkesat e Serbisë”, ka thënë Osmani duke bërë thirrje që këto shtetet të njohin realitetin, duke respektuar edhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ta njohin Kosovën, e jo të presin që këtë ta bëjë së pari Serbia.
Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka përfunduar të mërkurën vizitën e saj në Bruksel, ku është takuar dhe zyrtarë të lartë të BE-së dhe me kryetarët e dy dhomave të Parlamentit të Belgjikës. Osmani mbrëmë ka pasur takim me të dërguarin e posaçëm të BE-së Mirosllav Lajçak e më herët edhe me kryetarin e Parlamentit Evropian David Sasolli, si dhe Komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Verhelyi.
Të martën, më 12 janar, Lajçak theksoi në një diskutim përmes videos me ambasadoren gjermane në Uashington, Emily Haber, se pozicioni i këtyre pesë vendeve mund të ndryshojë nëse arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.
“Gjithçka që është e pranueshme për Serbinë do të jetë e pranueshme për vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën”, nënvizoi Lajçak, duke iu referuar kontakteve që ka me këto vende, por gjithashtu duke iu referuar vendit të tij, Sllovakisë, e cila gjithashtu nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë.
“Si ish- ministër i Jashtëm i Sllovakisë, kur me pyesnin se kur do ta njohë vendi im Kosovën, unë ju deklaroja: Më jepni një lajm të mirë, në mënyrë që të shkojë në parlament t’ju them ka ardhur koha të konsiderojmë pozicionin tonë. Pra, qartazi lajmi i mirë është marrëveshja me Serbinë”, ka thënë Lajçak.
AAK prezenton disa nga kandidatët për deputetëLexoni edhe:
Gjatë qëndrimit në Bruksel, u.d presidentit, Vjosa Osmani ka thënë se në takim, Lajçaku ka insistuar që Kosova mund të vazhdojë dialogun vetëm pasi të ketë një qeveri legjitime, e cila do të dalë nga zgjedhjet që do të zhvillohen me 14 shkurt.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Ai u ndërpre për 20 muaj, nga fundi i vitit 2018 për shkak të taksës 100 për qind që Kosova vendosi ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje- Hercegovinës, nga qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Ramush Haradinaj. Më pas, qeveria e ardhshme e Albin Kurtit e hoqi tarifën, por e vendosi masat e reciprocitetit. Serbia kundërshtonte të ulej në tryezë të bisedimeve, derisa Kosova kishte në fuqi masa të tilla.
Më ardhjen ne pushtet, qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti shfuqizoi reciprocitetin, duke mundësuar rifillimin e dialogut në korrik të 2020-ës.
Ka disa muaj që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk kanë zhvilluar raunde të reja të bisedimeve. Nga BE-ja është thënë se takimet në nivel politik nuk po mbahen për shkak të pandemisë së koronavirusit.
BE-ja ka thënë se ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.
(Kosova Sot Online)