22-vjeçari nga Maroku që u arrestua tri herë brenda dy javëve në Prishtinë

  • A.P /
  • 13 January 2021 - 17:55
22-vjeçari nga Maroku që u arrestua tri herë brenda dy javëve në Prishtinë

Një azilant nga Maroku i cili po qëndron në Kosovë, është arrestuar tri herë nga Policia. Ai është kapur duke vjedhur e duke tentuar të hyjë me forcë në markete e objekte tjera. Tek pas tri herësh arrestim, Prokuroria ka vendosur të kërkojë masën e paraburgimit ndaj 22-vjeçarit.

Kosova është bërë strehë për 1 mijë e 200 emigrantë nga vendet e huaja. Qytetarë nga Siria, Palestina e Maroku po qëndrojnë këtu, pasi kanë ikur nga vendet e tyre për shkak të luftës e kushteve ekonomike.

 

Por, nuk janë të pakta rastet kur emigrantët që po qëndrojnë në Kosovë “nuk po rrinë rehat”. Disa prej tyre prej që kanë ardhur në Kosovë janë përfshirë në vjedhje e vepra të tjera penale.

I tillë është edhe rasti i 22-vjeçarit M.Z. nga Maroku.

Për dy javë, ai është arrestuar nga Policia e Kosovës tri herë. Kjo për shkak se është zënë në flagrancë duke vjedhur, apo duke hyrë me forcë në objekte.

Më 31 dhjetor, M.Z. u arrestua nga Policia e Kosovës pasi u kap duke vjedhur në një barnatore në Fushë Kosovë.

Pas intervistimit nga prokurori, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.

Por, arrestimi nuk kreu punë. Pas shtatë ditësh, ai u kap përsëri nga Policia e Kosovës, duke tentuar të futet me forcë në një objekt në Prishtinë.

“Rr. Bil Klinton, Prishtinë 07.01.2021 – 04:30. Është arrestuar një i dyshuar mashkull pasi që i njëjti ka tentuar të futet me forcë në lokalin e viktimës mashkull kosovar ku sipas tij është dëmtuar vetëm dera e hyrjes dhe nga lokali si mungon asgjë. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, kishte njoftuar Policia në raportin 24 orësh.

Por, pas 48 orësh mbajtje, me urdhër të prokurorit, i dyshuari u lirua përsëri.

E si duket, dy arrestimet e para nga Policia “nuk e mbushën mend” 22-vjeçarin nga Maroku që po qëndron si azilant në Prishtinë.

Për herë të tretë ai u kap duke vjedhur në një market në Prishtinë, mesnatën e së martës.

“Rr. Rexhep Krasniqi, Prishtinë 12.01.2021 – 05:02. Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i huaj, pasi që është kapur duke vjedhur pako të cigareve në një market. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka bërë tërë ditur Policia.

Pas tri vjedhjeve, Policia e Kosovës deklaroi se i dyshuari është recidivist i këtyre veprave kriminale.

E tek pas arrestimit të tretë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka vendosur të ndërmarrë masa ndaj të dyshuarit.

Kjo pasi të martën është bërë kërkesa që ndaj të dyshuarit të shqiptohet masa e paraburgimit.

Megjithëse nuk kanë treguar se pse është liruar në dy herët e para 22-vjeçari, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë deklaruar  se të martën është bërë kërkesa për caktim të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

“Lidhur me këtë rast ju njoftojmë se, më 11.01.2021, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi në fjalë, ndërsa, më 12.01.2021, ndaj të njëjtit është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë”, nga neni 315 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Ndërkohë, gjatë vitit që lamë pas, në Kosovë kanë kërkuar 1 mijë e 200 të huaj. Shumica nga ta janë palestinezë, irakianë e marokenë.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, një ndër arsyet e largimit të tyre nga vendlindja është lufta.

“Janë disa nga arsyet që i kanë paraqitur te ne me rastin e kërkimit të azilit, si p.sh; për arsye se në vendin e tyre është luftë, për arsye sigurie dhe për arsye ekonomike etj.”, patën deklaruar nga MPB.

(Kosova Sot Online)