Turqia fillon vaksinimin e popullatës me vaksinën kineze kundër koronavirusit

  • E.K /
  • 14 January 2021 - 12:12
Turqia fillon vaksinimin e popullatës me vaksinën kineze kundër koronavirusit

Mjekët dhe infermierët turq i përvolën mëngët të enjten, pasi shteti me 83 milionë banorë e filloi fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit me vaksinën e kompanisë kineze, Sinovac.

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, i mori i pari këtë vaksinë dhe procesi u transmetua drejtpërdrejt në televizion. Turqia e miratoi këtë vaksinë të mërkurën, pavarësisht të dhënave kundërthënëse rreth shkallës së efikasitetit.

Hulumtimet preliminare me mbi 7.000 vullnetarë në Turqi treguan se vaksina CoronaVac është 91.25 për qind efektive. Sidoqoftë, një studim më i gjerë në Brazil nxori një shifër tjetër për efikasitetin e saj – vetëm 50.4 për qind.

Në Indonezi u raportua se efikasiteti i vaksinës kineze është 65.3 për qind, duke ngritur dyshime rreth transparencës së prodhuesve kinezë, shkruan France24.

Të enjten, televizioni turk ishte plot pamje të punëtorëve shëndetësorë duke i marrë dozat e para të vaksinës, ndërsa zyrtarët u munduan që ta bindin publikun për ta bërë të njëjtën gjë.

Pas vaksinimit të 1.1 milion punëtorëve shëndetësorë, në proces do të përfshihen personat mbi moshën 65-vjeçare dhe punëtorët e sektorëve thelbësorë.

(Kosova Sot Online)