ShBA-ja ekzekuton burrin me Covid dhe të meta intelektuale

  • G.G /
  • 15 January 2021 - 09:58
ShBA-ja ekzekuton burrin me Covid dhe të meta intelektuale

Administrata e Trumpit të enjten në mbrëmje e zbatoi dënimin me vdekje ndaj Corey Johnson-it, pavarësisht vlerësimit të Gjykatës Supreme se ekzekutimi i personave me të meta intelektuale si të tijat i shkelin parimet mbrojtëse kushtetuese kundër dënimeve të rënda dhe të pazakonta.

Qeveria amerikane e ekzekutoi personin e dënuar me vdekje përmes injeksionit me pentobarbital, proces që shpesh shkakton edemë pulmonare, me ç’rast lëngu futet në mushkëri kur i dënuari është ende me vetëdije dhe krijon dhimbje të ngjashme me mbytjen në ujë apo mbetjen pa frymë.

Në kohën e ekzekutimit, Johnson-i ende kishte simptoma të koronavirusit pasi kishte dalë pozitiv në test muajin e kaluar. Ekspertët mjekësorë kanë paralajmëruar se marrja e mbidozës së pentobarbitalit do të shkaktojë edhe më shumë dhimbje te personat që janë duke u shëruar nga Covidi, sepse virusi shpesh i dëmton mushkëritë.

Personi i ekzekutuar, Corey Johnson, u dënua me vdekje për përfshirje në një varg vrasjesh në vitin 1992.

Një gjykatës federal i vlerësoi si të besueshme këto paralajmërime dhe të martën mori vendim për pezullimin e ekzekutimit deri në mars të këtij personi dhe të një të dënuari tjetër, të quajtur Dustin Higgs. Sidoqoftë, qeveria paraqiti ankesë dhe Gjykata Supreme mori përfundimisht vendim që ekzekutimi i këtij të dënuari të kryhej. shkruan HuffPost.

Në deklaratën e tij të fundit, personi i ekzekutuar u kërkoi falje viktimave. Familjarëve u tha se i do, ndërsa stafin e burgut, këshilltarët shpirtërorë dhe ekipin ligjor i falënderoi, shkruan HuffPost, transmeton Gazeta Express.

Avokatët e Johnson-it e dënuan ekzekutimin e klientit të tyre, duke e cilësuar si shkelje të zymtë të Kushtetutës dhe ligjit federal.

(Kosova Sot Online)