Irani teston raketa balistike dhe dronë gjatë ushtrimeve ushtarake

  • E.K /
  • 15 January 2021 - 12:52
 Irani teston raketa balistike dhe dronë gjatë ushtrimeve ushtarake

Televizioni shtetëror iranian raportoi se Rojet Revolucionare të Iranit kanë testuar raketa balistike tokë-tokë dhe dronë të rinj të prodhuar brenda vendit gjatë ushtrimeve ushtarake të premten.

Këto ushtrime, për të cilat thuhet se u mbikëqyrën nga komandanti Hossein Salami, u mbajtën në një rajon shkretinor në pjesën qendrore të Iranit, shkruan Reuters.

Testimi i raketave dhe dronëve u bë pas një testimi tjetër të një rakete me rreze të shkurtër të mërkurën. Ushtria iraniane ka zhvilluar edhe ushtrime tjera ushtarake më herët këtë muaj, në të cilat u testuan dronët e prodhuar brenda vendit.

“Dronët bombardues e goditën mbrojtjen ajrore të armikut hipotetik nga të gjitha anët, duke i shkatërruar caqet plotësisht”, raportoi të premten televizioni shtetëror i republikës islamike.

Irani ka një ndër programet më të mëdha raketore në Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur sanksione të ashpra këtij shteti për shkak të pasurimit të uraniumit dhe dyshimeve për zhvillimin e programit bërthamor.

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Bide, i cili do ta fillojë punën në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën e ardhshme, ka thënë se Uashingtoni do të kthehet në marrëveshjen bërthamore me Iranin, nëse ky vend e zbaton prerazi paktin me fuqitë e mëdha.

(Kosova Sot Online)