Turqia thotë se për dy ditë ka vaksinuar mbi 500.000 persona kundër Covid-19

  • G.G /
  • 15 janar 2021 - 13:40
Turqia thotë se për dy ditë ka vaksinuar mbi 500.000 persona kundër Covid-19

Autoritetet turke kanë thënë se janë vaksinuar mbi 500.000 persona me vaksinën kineze kundër koronavirusit në dy ditët e para të fushatës së vaksinimit.

Ankaraja e filloi fushatën e vaksinimit me vaksinën e kompanisë kineze, Sinovac, të enjten dhe të parët po vaksinohen punëtorët e sektorit të shëndetësisë. Në ditën e parë u vaksinuan 285 mijë persona.

Deri në mesditën e së premtes, numri i përgjithshëm i personave të vaksinuar shkoi në 523.338, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo shifër e bën Turqinë shtetin me më së shumti persona të vaksinuar në ditët e para të procesit, shkruan The Guardian.

Qeveria turke tha se zhvillimi i shpejtë i fushatës së vaksinimit është ndihmuar nga shpërndarja e dozave në tërë vendin në fillim të kësaj jave, regjistrat e digjitalizuar shëndetësorë dhe shërbimet spitalore.

“Ne jemi vend me përvojë në zbatimin e programeve mbarëkombëtare të vaksinimit. Infrastruktura jonë është shumë e aftë për realizimin e këtij programi në mënyrë të kontrolluar. Do ta fitojmë betejën me këtë pandemi së bashku”, shkroi në rrjetet sociale ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca.

Dozën e parë të vaksinës kineze kundër koronavirusit të enjten e mori edhe presidenti turk, Rexhep Erdogan. Ai u bëri thirrje edhe politikanëve tjerë të vendit që ta marrin vaksinën, ndërsa nga populli kërkoi që t’i injorojnë kritikat për këtë vaksinë.

(Kosova Sot Online)