Pfizer-i pakëson dozat e vaksinës për Evropën, kjo është arsyeja

  • E.K /
  • 15 January 2021 - 15:15
 Pfizer-i pakëson dozat e vaksinës për Evropën, kjo është arsyeja

Kompania amerikane që prodhon një ndër vaksinat e miratuara kundër koronavirusit, do ta zvogëlojë përkohësisht numrin e dozave që i dërgon në Evropë për shkak të zgjerimit të kapacitetit prodhues, njoftuan zyrtarët e saj.

Pakësimi i dozave raportohet se do të ndodhë për shkak të kufizimit të prodhimit në kohën kur gjiganti farmaceutik po përgatitet që kapacitetin prodhues ta rrisë në 2 miliardë doza në vit nga 1.3 miliard doza në vit, sa e ka tash për tash.

“Ky pakësim i përkohshëm do t’i prekë të gjitha shtetet evropiane. Ende nuk është saktësisht e qartë se sa kohë do të nevojitet derisa Pfizer-i të jetë i gatshëm për kapacitet prodhues maksimal”, tha Instituti Norvegjez i Shëndetësisë Publike, shkruan The Guardian.

Zyrtarët e kompanisë thanë se duhet të bëjnë modifikime në proces dhe në fabrikë, të cilat më pas duhet të miratohen nga rregullatorët. “Ndonëse kjo do t’i prekë përkohësisht dërgesat në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit, do të ofrojë rritje të konsiderueshme të numrit të dozave të gatshme për pacientët në fund të shkurtit dhe në fillim të marsit”, thuhet në deklaratën e Pfizer-it.

Norvegjia nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, por ka siguruar qasje në doza përmes BE-së duke iu falënderuar Suedisë, që është anëtare e bllokut, e cila do të blejë më shumë doza sesa ka nevojë për t’ia shitur ato Norvegjisë.

Zyrtarët e BE-së kanë thënë se disa vende anëtare po marrin më pak doza të vaksinës sesa që kanë pritur dhe po ankohen për pasiguri rreth dërgesave të ardhshme.

(Kosova Sot Online)