Kurti e Tërnava lidhin marrëveshje për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit

  • A.P /
  • 02 May 2026 - 17:34
Kurti e Tërnava lidhin marrëveshje për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministren Saranda Bogujevci dhe kreun e BIK-ut, Naim Tërnava, kanë nënshkruar marrëveshje për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit.

Në njoftimin e Kurtit thuhet se “me këtë memorandum, Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore”.

“Këto angazhime janë pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999.Investimet në këtë fushë do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim”, përfundon njoftimi.

Postimi:

Xhamia e Ibrit, e ndërtuar në vitin 1777 dhe e djegur më 2 maj 1999, do të rindërtohet.

Sot, së bashku me Myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren Saranda Bogujevci, nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të saj. Me këtë memorandum, Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore.

Në vazhdim, nënshkruam edhe një memorandum tjetër bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës, i cili synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame.

Këto angazhime janë pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Investimet në këtë fushë do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim.

(Kosova Sot Online)