Vdekja e dyshimtë e Fadil Syleviqit – një i afërm i tij deklaroi se pati sulm kardiak

  • S.A /
  • 16 January 2021 - 08:37
Vdekja e dyshimtë e Fadil Syleviqit – një i afërm i tij deklaroi se pati sulm kardiak

Ish-pjesëtari i Policisë, Fadil Syleviqi, u gjet i vdekur në një mal, në afërsi të liqenit të Badovcit.

Gjatë ditës së sotme në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet policore, njësiti i forenzikës, Instituti i Mjekësisë Ligjore ndërsa për tërheqjen e trupit janë thirrur Forcat e Sigurisë së Kosovës.FSK është dashur të intervenonin për të larguar trupin e pajetë.

Siç raportohet, të afërm të tij, që kishin qenë bashkë me Syleviqin pasditen e së premtes, kanë thënë që pati një sulm kardiak.

Mirëpo, nga ekspertët mjekësorë nuk është konfirmuar një gjë e tillë.

Pas publikimit të lajmit për vdekjen e Suleviqit, Lladrovci ka shkruar në rrjete sociale se nuk do të flasë asnjë fjalë të keqe për të vdekurin, por ka shtuar se djali dhe familja e Hafir Shalës nuk kanë vend për të vënë lule për babanë e tyre.

Kreu i Drenasit, ka refuzuar të flasë me detaje për rastin.

“Nuk do të flas për çështjet që i kam ngritur më herët, por, djali Gentrit Hafir Shala dhe familja e nderuar Shala, nuk ka vend ku të vendos lule për babanë e tij, për mjekun e UÇK-së, atdhetarin e paepur Dr. Hafir Shala. Nuk dua të flas për ata që vdesin, por, sërish dua të pyes institucionet e drejtësisë: Kush duhet ta dijë se ku prehen eshtrat e atdhetarit të madh të kombit, Dr. Hafir Shala. Athua e kanë kryer obligimin e vet institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës”, shprehet ai.

Emri i Syleviqit, është përmendur edhe nga i dënuari për vrasje, Shkumbin Mehmeti, i cili më parë kishte rrëfyer për vrasjet e pasluftës në Kosovë.

Mehmeti akuzoi Syleviqin se ka urdhëruar disa vrasje gjatë kohës kur grupi i tyre kriminal ishte duke funksionuar.

“Polici Fadil Syleviqi është i përshirë në shumë vrasje”, kishte thënë shkurt Mehmeti, duke mos treguar specifikisht në cilat.

(Kosova Sot Online )