Qeveria amerikane i vendos sanksione të reja Iranit pak ditë para largimit

  • E.K /
  • 16 janar 2021 - 14:38
 Qeveria amerikane i vendos sanksione të reja Iranit pak ditë para largimit

Shtetet e Bashkuara të premten u vendosën sanksione disa kompanive në Iran, Kinë dhe Emiratet e Bashkuara për shkak se bënë biznes me linjat e transportit të Iranit.

Këto sanksione janë ndëshkimi më i ri në vargun e sanksioneve që kanë për qëllim ta shtojnë trysninë ndaj Teheranit për të biseduar rreth një marrëveshjeje më të ashpër kundër programit bërthamor.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Uashingtoni i ka sanksionuar shtatë kompani, përfshirë kompaninë kineze Jiangying Mascot Special Steel dhe kompaninë me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Accenture Building Materials, shkruan Reuters.

Kryediplomati amerikan shtoi se cak i sanksioneve mund të jenë edhe ato kompani që tregotjnë 15 materiale që janë të lidhura me programet bërthamore dhe raketore të Iranit.

Shefi i stafit të presidentit iranian, Mahmoud Vaezi, tha se këto sanksione janë spektakël që e përfaqëson armiqësinë e administratës së Trumpit ndaj Iranit.

Gjatë katër vjetëve në pushtet, Trumpi është përpjekur që ta detyrojë Iranin për t’u kthyer në bisedime rreth programit bërthamor dhe veprimeve të tij në Lindjen e Mesme. Trumpi në vitin 2018 i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore mes Iranit dhe fuqive të mëdha, duke thënë se pikat e paktit nuk ia kufizojnë mjaftueshëm Iranit aktivitetin bërthamor.

(Kosova Sot Online)