Pasi Mustafa e largoi nga top 10, Lumir Abdixhiku i ka dy fjalë

  • A.P /
  • 17 janar 2021 - 15:42
Pasi Mustafa e largoi nga top 10, Lumir  Abdixhiku i ka dy fjalë

Lidhja Demokratike e Kosovës në listën e kandidatëve për deputetë, ka renditur të njëmbëdhjetin Lumir Abdixhikun. Se a i ka mbetur hatri, është përgjigjur vetë Abdixhiku.

Nga analistët politikë, kjo u pa si një ndëshkim nga partia kundrejt Abdixhikut, pasi ky i fundit nuk ishte i zëshëm në mbrojtje të partisë, gjatë kohës kur LDK po sulmohej më së shumti.

Por, në një prononcim, Abdixhiku ka thënë se nuk ka kurrfarë hidhërimi ndërmjet tij dhe partisë.

“Asnjë hidhërim. Numrin e bëj unë, jo numri mua”, ka deklaruar Abdixhiku.

Mospërfshirja e Lumir Abdixhikut në dhjetëshen e parë në listën e LDK’së për deputetë u pa si një lloj ndëshkimi i partisë ndaj tij.

Kjo pas Abdixhiku nuk ishte deklaruar gjatë kohës kur partia e tij po sulmohej pas prishjes së koalicionit me VV’në e Albin Kurtit, në Qeverinë ku Abdixhiku ishte ministër i Infrastrukturës dhe Transportit.

Po ashtu, në Qeverinë Hoti, Abdixhiku nuk kishte marrë asnjë post.

Gjatë asaj kohe ai kishte zgjedhur heshtjen, të cilën e theu para pak ditësh.

Ai ka treguar se pse refuzoi postin e ministrin në qeverinë e kryeministrit Avdullah Hoti.

 “E vërteta është se unë s’kam dashur të jem pjesë e mëtutjeshme e qeverisë së ardhshme. Fillimisht sepse nuk kisha përkrahur formimin e një qeverie tjetër edhe unë s’mund të jem pjesë e diçkaje nëse veç e kundërshtoj’, tha Abdixhiku.

“Kam qenë veç një zë kundër në atë kohë. Shumica ka menduar ndryshe. Për parimet dhe bindjet e mija, kur jam pjesë e një familje politike, unë veproj sipas vendimit të shumicës, vendimi im ishte pakicë. Kam qenë vetëm një votë, s’kam arrit as dy me i bo me votu si unë. Pra nuk më kanë dhënë të drejtë që tash unë të jap ultimatum ndaj njerëzve që mendojnë ndryshe e as të dalë t’i dëmtojë delegacionet e partisë. Më e pakta që mund të bëj është që të mos jem pjesë e diçkaje që mendoj se s’duhet të ndodhë”, shtoi ai.

Megjithatë, Abdixhiku pati deklaruar se e ardhmja e tij politike është në LDK.

“Unë e kam bërë të qartë edhe me Osmanin se e gjithë veprimtaria ime është në LDK. Asnjëherë s’e kemi hapur temën që unë të kalojë diku tjetër”, është shprehur Abdixhiku.

Abdixhiku i cili ishte përmendur edhe si emri ideal për t’i prirë listës së LDK’së në këto zgjedhje, në zgjedhjet e kaluara kur ishte renditur i katërti në listë, kishte marrë 29 mijë e 531 vota.

(Kosova Sot Online)