Haradinaj-Stublla në diskutimin me kryediplomatin gjerman: Serbia po vazhdon me deklarata kërcënuese ndaj Kosovës

  • A.P /
  • 18 January 2021 - 18:47
Haradinaj-Stublla në diskutimin me kryediplomatin gjerman: Serbia po vazhdon me deklarata kërcënuese ndaj Kosovës

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar një video-konferencë me raportuesin për Kosovën në Këshillin e Evropës si dhe Koordinatorin për Bashkëpunimin Trans-Atlantik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë Peter Bayer.

Gjatë kësaj video-konference u bisedua për zhvillimet politike në vend dhe në rajon.

“Gjatë këtij bashkëbisedimi e njoftova z.Beyer për situatën politike në vend përpara zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, ku shpreha angazhimin tim të plotë si Ministre e Diasporës, në mirë-informimin e bashkëqytetarëve tanë për procesin e votimit përmes postës”.

Haradinaj-Stublla ka shprehur shqetësimin për, siç i konsideron ajo, deklaratat shoviniste dhe kërcenuese të Serbisë.

“Diskutuam edhe për procesin e Dialogut ku shpreha shqetësimin për qasjen tërësisht agresive të Serbisë, e cila po vazhdon me deklarata kërcënuese e retorikë shoviniste e raciste ndaj Kosovës, duke shkelur secilën marrëveshje të arritur deri më sot, më të fundit atë të Uashingtonit, e duke bërë veprime të papranueshme për ne, siç janë arrestimi pa arsye dhe mbajtja në burg pa të drejtë e shtetasve të Kosovës”.

Ajo shtoi se koordinimi transatlantik mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian do të sjell rezultate të prekshme në dialog mes Kosovës dhe Serbisë.

“U dakorduam me z.Beyer se koordinimi trans-atlantik mes SHBA-ve dhe BE-së për Dialogun do ta rigjallërojë këtë proces edhe do të sjellë rezultate të prekshme, përtej veç firmosjes së marrëveshjeve”.

“E njoftova z.Beyer se edhe përkundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ne nuk kemi lënë anash në asnjë moment detyrat shtetërore dhe se jemi jashtëzakonisht vigjilent për të mos lejuar askënd që ta nëpërkëmbë shtetin tonë”. 

(Kosova Sot Online)