Fillon verifikimi i kandidatëve që kanë dënime në tri vitet e fundit, afati për certifikim pas dy ditëve

  • A.P /
  • 18 January 2021 - 20:57
Fillon verifikimi i kandidatëve që kanë dënime në tri vitet e fundit, afati për certifikim pas dy ditëve

Sipas IKD-së, LVV, PDK, e Nisma kanë kandidatë të dënuar në 3 vitet e fundit për vepër penale.

1079 është numri i kandidatëve të cilët kanë aplikuar që të bëhen deputetë në legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës.

Por, duket se jo të gjithë do të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kjo si pasojë e dispozitivit të dytë të aktgjykimit të Kushtetueses, i cili ua pamundëson kandidimin atyre që janë të dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit.

Për këtë arsye, të hënën KQZ ka dërguar listat e subjekteve politike tek Këshilli Gjyqësor i Kosovës për verifikimin e këtyre kandidatëve.

KGJK ka afat deri të mërkurën që t’i dërgojë emrat e atyre që janë të dënuar në këtë Komision.

Megjithëkëtë, nga Këshilli Gjyqësor kanë bërë të ditur se do të jetë KQZ ajo e cila do ta jep fjalën përfundimtare për cerfitikim.

Sot, me datën 18, kemi pranuar listat e kandidatëve nga KQZ dhe kemi filluar me procesin e verifikimit. KGjK vetëm mund të ofroj informacione se personi i caktuar ka apo nuk ka të regjistruar ndonjë dënim me aktgjykim të formës së prerë. Ndërsa, KQZ vendos për certifikimin.

Por dikush tjetër veçse e ka bërë një hulumtim të tillë.

Sipas Yll Zekajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, shumica e partive politike kanë kandidatë të dënuar për vepër penale në 3 vitet e fundit.

Ndonëse në listat e Lidhjes Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka kandidatë me aktakuzë aktive, kjo nuk përbën pengesë për ta që të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

(Kosova Sot Online)