Gjermania po e shqyrton ashpërsimin e izolimit nga frika e varianteve të reja të virusit

  • E.K /
  • 19 January 2021 - 09:24
Gjermania po e shqyrton ashpërsimin e izolimit nga frika e varianteve të reja të virusit

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, dhe udhëheqësit e 16 rajoneve gjermane pritet që të martën ta zgjasin përtej janarit afatin e masave kufizuese dhe t’i ashpërsojnë ato për shkak të frikës rreth varianteve të reja të koronavirusit, të cilat besohet se janë më ngjitëse.

Gjermania në nëntor i mbylli restorantet, qendrat sportive dhe qendrat e zbavitjes, ndërsa afati i masave kufizuese u shtye në mesin e dhjetorit, ku u përfshinë shkollat dhe shumica e dyqaneve, shkruan The Guardian.

Zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seibert, tha se masat e marra kanë ndikuar në rrafshimin e trajektores së infeksioneve, duke shtuar se edhe numri i pacientëve në repartet e kujdesit intensiv ka rënë pak.

“Ky trend është pozitiv dhe sukses i kufizimeve të javëve të fundit, por kjo na sjell në pikën ku ende kemi një rrugë të gjatë për të bërë para se të mund të themi se infeksionet janë nën kontroll”, tha ai.

Variantet e virusit që janë regjistruar në Britaninë e Madhe dhe Afrikën Jugore gjithashtu paraqesin rrezik të madh për ta penguar rritjen e numrit të infeksioneve, shtoi zëdhënësi i Merkelit.

“Ky është një rrezik të cilin politikanët e përgjegjshëm duhet ta marrin parasysh, më mirë herët sesa vonë”, tha në fund Seibert.

(Kosova Sot Online)