Pas vrasjes së 15 vjeçarit në Prizren, reagon Këshilli i Prindërve

  • G.G /
  • 19 January 2021 - 12:33
Pas vrasjes së 15 vjeçarit në Prizren, reagon Këshilli i Prindërve

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar pas vrasjes së nxënësit 15-vjeçar në shkollën “Luciano Motroni” në Prizren. Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre se ky rast është alarm për institucionet dhe për prindërit.

Sipas tyre prindërit duhet të merren seriozisht me këtë dukuri, që po e cenon jetën dhe integritetin fizik të nxënësve.

“Rasti i therjes me thikë dhe vdekjes së nxënësit L.B. të SHML“ Luciano Motroni” të Prizrenit, është alarm për institucionet tona dhe prindërit për t’u marrë seriozisht me këtë dukuri, që po cenon jetën dhe integritetin fizik të nxënësve. Ne si Këshill i Prindërve të Kosovës, vazhdimisht kemi ngritur zërin se mungon siguria e nxënësve dhe ka dhunë nëpër shkolla, dhe njëherësh, kemi kërkuar nga institucionet e Kosovës, duke filluar nga mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, DKA-të, MASHT-i, prindërit, Policia, që bashkërisht të punojmë në drejtim të forcimit të sigurisë së nxënësve dhe zhdukjes së fenomenit të dhunës nëpër shkollat tona”, thuhet nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Për rastin në fjalë sot janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës.

Sipas policisë, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i mitur pasi që pas një zënke afër shkollës e kishte therrë me thikë viktimën, i cili ishte dërguar pa shenja jete në emergjencën e spitalit rajonal në Prizren.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i mitur pasi që pas një zënke afër shkollës e kishte therrë me thikë viktimën mashkull kosovar i mitur i cili ishte dërguar në emergjencën e spitalit rajonal në Prizren por sipas mjekëve viktima kishte qenë pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori i shtetit me urdhër të së cilit i dyshuari dërgohet në mbajtje për 24 orë. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së.

(Kosova Sot Online)