Minatorëve të ngujuar 540 metra nën tokë në Kinë u bie në mend që ta zgjedhin ushqimin

  • E.K /
  • 19 January 2021 - 15:32
Minatorëve të ngujuar 540 metra nën tokë në Kinë u bie në mend që ta zgjedhin ushqimin

Dymbëdhjetë minatorë që janë ngujuar nën tokë pas një shpërthimi në një minierë në Kinë kanë thënë se janë mirënjohës për lëngjet ushqyese dhe ilaçet që u janë dërguar përmes një tuneli të gjatë e të ngushtë, por se vërtet do të donin sallam derri.

Minatorët kanë arritur të kontaktojnë me ekipet e kërkim-shpëtimit përmes një linje telefonike. Shpëtimtarët fillimisht i lëshuan racionet e ushqimit përmes një kablloje, ndërsa më pas e morën një letër nga minatorët, në të cilën shkruhej “mos u ndalni duke u munduar që të arrini te ne”.

Në fillim në minierë mbetën të ngujuar 22 minatorë, ndërsa fati i dhjetë minatorëve nuk dihet, sepse ende janë të zhdukur, shkruan BBC. Shkaktari i shpërthimit në minierën “Hushan” nuk dihet.

Shenjat e jetës nga grupi i 12 minatorëve u vërejtën një javë pas shpërthimit, rreth 540 metra nën tokë, kur ekipet e kërkim-shpëtimit vërejtën një tërheqje të litarit që e kishin lëshuar nga sipërfaqja.

Ata raportuan se kanë arritur të komunikojnë me një koleg të tyrin 50 metra më thellë se ta, por se kontakti me të tashmë është humbur.

Aksidentet në miniera ndodhin mjaft shpesh në Kinë, ku masat e sigurisë në këtë industri nuk zbatohen si duhet.

(Kosova Sot Online)