Mbi 43 vjet burgim një gruaje për fyerjen e monarkisë

  • A.P /
  • 19 January 2021 - 15:59
Mbi 43 vjet burgim një gruaje për fyerjen e monarkisë

Një ish-shërbyese civile është dënuar me 43 vjet e 6 muaj burgim për fyerjen e monarkisë tajlandeze, thanë avokatët e saj. Besohet se ky është dënimi më i rëndë që është shqiptuar ndonjëherë në bazë të ligjit të rreptë kundër fyerjes së pushtetit të lartë.

Gruaja e shpallur fajtore akuzohej për publikimin e klipeve me zë në Facebook dhe YouTube me komente që u cilësuan si kritikuese ndaj monarkisë, sipas grupit të avokatëve tajlandezë për të drejtat e njeriut.

Gjykata fillimisht e dënoi këtë grua me 86 vjet burgim, por dënimi u përgjysmua pasi ajo e pranoi fajin, shkruan The Guardian.

Sipas ligjit kundër fyerjes së pushtetit, kushdo që fyen apo kërcënon mbretin apo mbretëreshën mund të dënohet me tre deri 15 vjet burgim për secilën akuzë. Gruaja, të cilën avokatët e kanë identifikuar vetëm me emrin Anchan, u shpall fajtore për 29 raste të shkeljes së këtij ligji.

Rasti i saj kishte nisur para gjashtë vjetëve, por vendimi për dënim erdhi në kohën kur autoritetet po mundohen që të shtypin një lëvizje pro-demokratike që po udhëhiqet nga të rinjtë dhe që i ka sfiduar qeverinë dhe monarkinë.

Vitin e kaluar, dhjetëra miëjra protestues e kritikuan mbretin Maha Vajiralongkorn dhe e vunë në pikëpyetje pasurinë marramendëse të familjes mbretërore. Protestuesit kërkuan reforma, duke thënë se familja mbretërore duhet të jetë llogaridhënëse dhe nën kushtetutë.

(Kosova Sot Online)