SHSKUK kundërligjshëm dje hapi ofertën për ndërtimin e spitalit të Podujevës

  • A.P /
  • 19 January 2021 - 16:55
SHSKUK kundërligjshëm dje hapi ofertën për ndërtimin e spitalit të Podujevës

Nuk u parapa në buxhet, SHSKUK kundërligjshëm dje hapi ofertën për Ndërtimin e Spitalit të Podujevës

Edhe pse nuk është paraparë në Buxhetin e këtij viti, Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK), nuk ka pezulluar tenderin e hapur për ndërtimin e Spitalit të Podujevës. Aq më shumë, ky institucion dje ka hapur ofertën për tender, gjë e cila po konsiderohet se nuk ka dispozita ligjore.

Në dhjetor të këtij viti, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, kishte shpallur tenderin për Ndërtimin e Spitalit të Podujevës, i cili kapte vlerën prej 9 milionë e 159 mijë e 833.81 eurove.

Edhe pse në Buxhetin e vitit 2021 nuk është paraparë ky projekt, SHSKUK nuk e ka pezulluar tenderin, aq më shumë ky institucion ditën e djeshme e ka hapur ofertën për këtë tender, pa pasur asnjë cent në buxhet.

Shpallja e tenderit thuhet se nuk është i zbatuar në dispozita ligjore.

Liridona Behrami, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë  se SHSKUK’ja rrezikon të hyjë në obligime financiare ndaj operatorëve ekonomikë pasi që nuk ka në dispozicion shumën e caktuar për këtë projekt.

Ajo ka thënë se përkundër që kanë menduar se do të anulohet një tender i tillë, ditën e djeshme është hapur oferta për të.

“Dje është bërë hapja e ofertave nga SHSKUK. Ne kemi menduar se do të anulohet tenderi, sepse është një shumë e madhe që kërkohet për ndërtimin e spitalit. Ne jemi në përgatitje të kërkesave tona ndaj SHSKUK’së. Deri tani nuk kemi marrë informata konkrete nga ta por nuk kemi zgjedhje, do t’i drejtohemi përsëri”, ka thënë ajo.

Behrami është shprehur se as në planifikim të planit të prokurimit nuk ka qenë një vlerë kaq e madhe për Spitalin e Podujevës.

Sipas saj, në plan kanë qenë 5 milionë euro, por që tenderi është hapur për mbi 9 milionë euro.

“Unë mendoj që ka qenë në planifikimet e prokurimit një vlerë shumë më e ulët se 5 milionë euro, por tenderi është hapur me vlerë mbi 9 milionë euro. Prapë se prapë është nis pa asnjë cent në buxhet dhe nuk e di në çfarë mënyre e kanë parashikuar se do ja dalin. Ata kanë rrezik të hyjnë në obligime ndaj kompanisë”, ka thënë ajo.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se ekziston hapësira dhe objekti për këtë spital dhe se mund të funksionalizohen disa hapësira fillimisht.

Ai është shprehur se kanë filluar procedurat në fund të vitit të kaluar për këtë spital dhe tani do të shohin me Qeverinë se a do të kenë ndonjë mundësi reale për të gjetur fonde për të vazhduar procedurat tutje.

“Është dëshirë e jona të ishte i  përfshirë, pasi që është projekt që ka filluar shumë më herët në vitin 2016-2017. Ekziston hapësira dhe objekti dhe mund të funksionalizohen disa hapësira fillimisht specialistike, edhe varësisht nga investime për të ofruar edhe shërbime të tjera shëndetësore”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, vetë kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kishte thënë, se nuk ishte informuar për hapjen e tenderit për ndërtimin e Spitalit të Podujevës.

Ai ka thënë se ndërtimi i këtij spitali është premtuar në shumë zgjedhje, por që një gjë e tillë nuk është bërë.

(Kosova Sot Online)