Në ditën e fundit si president, Donald Trump ua fal dënimet edhe 73 personave

  • E.K /
  • 20 January 2021 - 09:24
Në ditën e fundit si president, Donald Trump ua fal dënimet edhe 73 personave

Disa orë para se të largohet zyrtarisht nga posti i presidentit të Shteteve të Bashkuara, miliarderi Donald Trump e shfrytëzoi të drejtën për falje të të dënuarve duke futur në listë 73 persona, përfshirë një ish-zëdhënës të lartë.

Në mesin e personave të falur është edhe Elliott Broidy, ish-mbledhës i fondeve për Trumpin që kishte pranuar se ka lobuar në mënyrë ilegale në qeverinë amerikane për t’i hedhur poshtë hetimet rreth një skandali të korrupsionit në Malajzi dhe për depërtimin e një miliarderi kinez në ekzil. Pjesë e listës së personave të falur është edhe Ken Kurson, mik i Jared Kushnerit.

Sidoqoftë, Trumpi nuk bëri përpjekje që ta lirojë veten paraprakisht nga akuzat e mundshme dhe as nuk i përfshiu në listën e faljes anëtarët e familjes apo avokatin personal, Rudy Giuliani. Në listë nuk ishte as Julian Assange, për të cilin ishte spekuluar më herët.

Prokurorët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë thënë se ekziston një “zonë e hirtë” në kushtetutë, që nënkupton se presidenti mund të falë persona të tjerë në mënyrë të fshehtë, pa i njoftuar publikun apo Kongresin për këtë veprim, shkruan The Guardian.

Falja presidenciale nuk nënkupton që personat e falur kanë qenë të pafajshëm. Presidentët shpesh e përdorin këtë kompetencë për t’i ndihmuar aleatët dhe donatorët, por Trumpi e ka shfrytëzuar tej mase këtë mundësi.

Më parë, ai ua ka falur dënimet katër aleatëve të dënuar rreth hetimeve për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe lidhjeve të Trumpit me Moskën.

(Kosova Sot Online)