Shkon në 12 numri i ushtarëve të larguar nga inaugurimi i Bidenit

  • G.G /
  • 20 January 2021 - 12:02
Shkon në 12 numri i ushtarëve të larguar nga inaugurimi i Bidenit

Dymbëdhjetë pjesëtarë të Gardës Kombëtare janë larguar nga detyra në procesin e inaugurimit të presidentit Joe Biden në Washington D.C. si pjesë e kontrolleve të sigurisë nga frika për ndonjë lidhje të mundshme të trupave me grupet ekstremiste. Lajmin e bëri të ditur komandanti i Gardës Kombëtare, Daniel Kohanson.

Ai tha para gazetarëve të martën se dy pjesëtarë janë larguar për shkak të komenteve dhe teksteve jo të duhuara, ndërsa një zyrtar tjetër i tha më herët televizionit CNN se ushtarët janë larguar nga detyra për shkak të lidhjeve të mundshme me ekstremistët.

Gjenerali Hokanson tha se dhjetë pjesëtarët tjerë të Gardës Kombëtare u larguan nga detyra shkaku i sjelljes së diskutueshme që është gjetur gjatë procesit të vetting-ut, duke theksuar se kjo nuk nënkupton patjetër që ata kanë lidhje me ekstremistët, por se thjesht janë identifikuar dhe janë larguar nga shërbimi për shkak të kujdesit të shtuar.

“Unë nuk jam i shqetësuar si pjesë e madhe e organizatës sonë, nëse i shikoni 25.000, kemi identifikuar 12 dhe disa prej tyre vetëm po vëzhgohen, mund të mos jenë të lidhur me këtë, por ne duam që të sigurohemi për kujdes të bollshëm. Siç thashë më herët, ne e bëjmë gjënë e duhur deri të pastrohet gjithçka”, tha Hokanson para gazetarëve.

Ushtria dhe policia amerikane janë vënë në gjendje të lartë gatishmërie disa orë para inaugurimit të presidentit të ri, Joe Biden. Masat e sigurisë janë të jashtëzakonshme për shkak të frikës nga shpërthimi i dhunës apo protestave nga grupet ekstremiste, shumë prej të cilave e kanë përkrahur presidentin në largim, Donald Trump.

(Kosova Sot Online)