Çfarë duhet të dini për ceremoninë e betimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara?

  • A.P /
  • 20 January 2021 - 21:11
Çfarë duhet të dini për ceremoninë e betimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara?

“Betohem solemnisht se do të mbështes dhe mbroj Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara kundër të gjithë armiqve, të huaj dhe vendas; se do të mbaj besim të vërtetë dhe besnikëri ndaj së njëjtës; që e marr këtë detyrim lirshëm, pa asnjë rezervë mendore ose qëllim evazioni; dhe se do t’i përmbush detyrat e zyrës në të cilën do të hyj. Prandaj, Zoti më ndihmoftë!”

“Amerika e Bashkuar” është këtë vit tema e ditës së inaugurimit, e zgjedhur me kujdes nga stafi i presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara, për Ditën e shumëpritur të Inaugurimit. Kjo ditë do të shënojë një rrugë të re për SHBA-në, me marrjen zyrtarisht të mandatit 4-vjeçar nga Joe Biden. Tradita nisi më 30 prill të vitit 1789, me momentin kyç të inaugurimit, me betimin e kreut të ri të Shtëpisë së Bardhë, me dorë mbi Bibël. Për herë të parë, në shtetin e Nju-Jorkut të asaj kohe, ishte George Washington ai që u betua si presidenti i parë i amerikanëve.

Ky event shënon dhe inaugurimin e 59-të presidencial, që për shumë arsye nuk ngjason me asnjë ceremoni të mëparshme. Inaugurimi vjen në një periudhë të jashtëzakonshme politike, shëndetësore, ekonomike dhe në mes të një krize sigurie.

Nëse për vite me radhë, ceremonia mbahej çdo datë 4 mars, që prej vitit 1937, data zyrtare e saj është caktuar 20 janari, 72 deri në 78 ditë pas datës së zgjedhjeve. Për shumë vite, kjo ceremoni mbahej në mënyrë private dhe presidenti i ri shfaqej publikisht të nesërmen, më 21 janar. Sipas traditës, përpara popullit dhe gjykatësve të Gjykatës së Lartë, presidenti ngre dorën e djathtë dhe vendos të majtën mbi Bibël, edhe pse ky veprim nuk përmendet në kushtetutë, por krerët e parë të shtetit përdorën librin e shenjtë për këtë moment, siç bëri Obama mbi biblën e Lincoln-it në vitet 2009 dhe 2013, po njësoj edhe Trump në 2017.

Siç e do zakoni, presidenti i ri betohet në një ceremoni që prej më shumë se 3 dekadash zhvillohet në pjesën perëndimore të “Capitol Hill”, përpara monumentit të presidentit Washington dhe presidentit Lincoln. Vitet bënë që ceremonia e thjeshtë e betimit, të shndërrohej pak nga pak në një ngjarje mbarëbotërore: me qindra televizione e tashmë rrjete sociale që transmetojnë live çdo moment, shkruan A2news. Pjesë e padiskutueshme e kësaj dite, është edhe parada e çiftit të ri presidencial, që përshëndet turmën e mbledhur për të. Më pas, është radha e mbrëmjes gala apo siç njihet ndryshe “Ballo e Inaugurimit” në “Capitol”, dedikuar presidentit, zv.presidentit dhe të ftuarve.

Garda kombëtare dhe i gjithë personeli ushtarak bën nderimet e rastit, me bandën frymore, për presidentin e ri, që është gjithashtu komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.

Vitet e fundit gjithnjë e më shumë po i kushtohet rëndësi pjesëmarrjes në inaugurim teksa teknologjia përhap edhe më shumë emocionet e kësaj dite. Në vitin 1829, Andrew Jackson foli përafërsisht para 10 000 njerëzve në inaugurimin e tij. Por sot, gjithçka ka ndryshuar. Në Inaugurimin e Donald Trump morën pjesë 160 mijë vetë përqark National Mall, por 30,6 milionë amerikanë e ndoqën live në televizion ndërsa 6,8 milionë e ndoqën live falë rrjeteve sociale.

Me kuriozitet pritet edhe fjalimi i inaugurimit.

Sipas historisë, në vitin 1841 William Henry Harrison ka mbajtur deri më sot fjalimin më të gjatë, me 8445 fjalë. Ndërsa në vitin 1793, Washington iu adresua popullit me fjalimin më të shkurtër duke vendosur një rekord botëror, me vetëm 135 fjalë.

(Kosova Sot Online)