Si do të duket jeta e Donald Trump pas presidencës

  • E.K /
  • 21 January 2021 - 09:02
Si do të duket jeta e Donald Trump pas presidencës

Me dëshirë ose jo, Donald Trump, u largua nga Shtëpia e Bardhë. E ardhmja e 74-vjeçarit është e panjohur, teksa analistët e konsiderojnë atë një ish president të paparashikueshëm. Por këto janë disa nga mundësitë se si do të duket jeta e Trump pas presidencës.

Fillimisht do të presë rezultatin e gjyqit për shkarkim në Senat, e më pas të mendojë për ambiciet politike. Ai mund të sfidojë Joe Biden pas 4 vitesh për një mandat të dytë, duke ndjekur shembullin e Grover Cleveland, presidenti i vetëm amerikan që la Shtëpinë e Bardhë duke u rikthyer 4 vite më pas. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara saktëson se asnjë person nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë si president, por nuk thotë asgjë nëse mandatet duhet të jenë radhazi.

Ndihmësit dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Trump kanë sugjeruar se ai do të garojë sërish në vitin 2024, marrë shkas edhe nga mbi 71 milionë votat rekord për një kandidat republikan. Por ai mund të vazhdojë dhe beteja ligjore për të rrëzuar fitoren e Biden, ndërsa një ekip i tij ka mbledhur fonde për këtë. Organizata Trump ka nisur punën tashmë për mbledhjen e provave dhe nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit të kaluar. Ai do të merret dhe me disa procese ligjore të ngritura kundër tij, si ai I mbesës Mary Trump që e akuzon atë për mashtrim dhe konspiracion.

Një tjetër opsion për 74-vjeçarin është që të kthehet në drejtim të “perandorisë” dhe ta shpëtojë atë. “New York Times” raporton se kompanitë e Trump duhet të kthejnë mbi 400 milionë dollarë borxhe në pak vite, ndërsa media tjetër “Forbes” bëri me dije se pandemia koronavirus i ka shkaktuar deri në 1 miliard dollarë humbje “xhepave” të manjatit amerikan. Kjo pasi shumica e bizneseve të tij janë në sektorin e hoteleri-turizmit. Nëse Trump zgjedh të shkojë në këtë drejtim, e pret një punë shumë e madhe.

Një opsion që 74-vjeçari e ka për zemër është ai mediatik. Ai nuk është i huaj për botën e televizionit ku ka qenë personazhi kryesor i disa reality show si “The Aprentice”. Audienca që sjell ai është e garantuar thonë analistët. Këtë drejtim e kanë ndjekur dhe presidentë të tjerë si Obama, që ka një akord 65 milionë dollarësh me kompaninë Netflix, George W Bush për librin e tij me kujtime, dhe çifti Clinton një kontratë “podcast”-i. Mundësia e fundit për Trump është të dalë në pension presidencial.

Akti i ish-Presidentëve, i miratuar në vitin 1958 për të “ruajtur dinjitetin” e zyrës, siguron përfitime duke përfshirë një pension vjetor, i cili ishte 207,800 $ në 2017. Ish-presidentët kanë gjithashtu të drejtë për mbrojtje gjatë gjithë jetës nga Shërbimi Sekret, përfitime shëndetësore, dhe mbulim të udhëtimeve dhe shpenzimet e personelit.

Kështu që Trump, tani 74 vjeç, mund të vendosë të dalë në pension në heshtje, t’i kalojë ditët si filantrop, të rrisë bilancin e tij bankar në qarkun e folësve dhe të planifikonte bibliotekën e tij presidenciale – arkivat dhe muzetë e një presidenti dhe administratës së tij, që zakonisht bëhen në shtetin e tyre të lindjes. Dhe ai mund të kalonte çdo kohë të lirë duke pushuar dhe duke luajtur golf në Florida në resortin e tij Mar-a-Lago. Megjithatë vështirë të mendohet se një person aq aktiv sa ai të dalë në pension.

(Kosova Sot Online)